Çeku: Do rinovohen dy objekte të rëndësishme të trashëgimisë kulturore
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se do bëhet rinovimi i dy objekteve të trashëgimisë kulturore, ai i shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë dhe xhamia e Drenocit në komunën e Deçanit.
Ai përmes një postimi në ”Facebook”, ka theksuar se dje e kanë nënshkruar një marrëveshje për ndarjen e shumës prej 360,000 euro shtesë për të rinovuar këto dy objekte.
”Këto ndërhyrje zbatohen në kuadër të Instrumentit të Bashkimit Europian që kontribuon në Stabilitet dhe Paqe (IcSP), i financuar nga projekti “Trashëgimia Kulturore si Drejtuese e Dialogut Ndër-Komunitar dhe Kohezionit Social”, i cili zbatohet nga UNDP, në bashkëpunim të ngushtë me MKRS. Së bashku me kontributin e BE prej 2 milionë eurosh për projektin “Trashëgimia Kulturore si Drejtuese e Dialogut Ndër-Komunitar dhe Kohezionit Social”, marrëveshja e sotme për ndarjen e shumës prej 360,000 Euro shtesë nga MKRS është dëshmi dhe përkushtim për bashkëpunimin e vazhdueshëm mes BE, MKRS dhe UNDP”, ka shkruar Çeku në ”Facebook”./21Media