Aplikacioni i KQZ që merr të dhënat nga Qendrat e Votimit është hakëruar pasditen e sotme. Një fakt të tillë e bëri të ditur kryekomisioneri, Ilirian Celibashi gjatë një konferencë për media.

Për këtë arsye ai tha se edhe numri i qendrave të votimit që kanë raportuar të dhënat është i vogël.

Ai tha se po punohet për të zgjidhur këtë çështje, por në çdo rast shtoi se KQZ ka një plan B dhe një plan C për të abdetuar të dhënat mbi pjesëmarrjen.

“Procesi po vijon normalisht. Në lidhje me përqindjen e pjesëmarrjes, 65 Qendra Votimi kanë raportuar në këtë moment. Numri i vogël është për faktin se aplikacioni i KQZ është sulmuar pak më përpara. Teknikët po punojnë ta zgjidhin, nëse jo kemi një plan B dhe C për të abdetuar pjesëmarrjen.”, tha ai.

Celibashi shtoi se prej një ore nuk mund të marrin informacion sepse raportimi dhe sistemi është sulmuar në mënyrë informatike.

“Po punojmë të vendosim në funksionim planin B, që është vënia në punë e një aplikacioni tjetër.”, u shpreh ai.

Celibashi shtoi se në 144 Qendra Votimi identifikimi po bëhet në mënyrë manuale, nuk po përdoret pajisja e identifikimit elektronik.

Prej tyre, 83 qendra votimi janë duke e vazhduar këtë proces pasi nuk janë paraqitur operatorët, ndërsa 144 patën probleme me pajisjen dhe në disa raste komisioni i qendrës së votimit nuk priti për të marrë këshillimet e duhura teknike nga KQZ dhe kaluan në identifikimin manual të votuesve.

Sipas Celibashit, në raste sporadike ka pezullim të përkohshëm të votimit qoftë për çështje të identifikimit elektronik por edhe për shkak të konfklikteve mes anëtarëve të komisioneve të qendrës së votimit me karakter të administrimit të procesit zgjedhor.

“Kemi pasur sibnjalizim që në shkollën “Betim Muço”  ka pasur grumbullim njerëzish dhe brenda ambienteve të shkollës që është e palejueshme. Brenda qendrave të votimit dhe jashtë tyre duhet të jenë vetëm ata qytetarë që presin për të votuar. Kemi dërguar inspektorë dhe situata është qartësuar.”, shtoi ai.