Nuha: Na nevojiten më shumë shkëmbime të përvojave

Nuha: Na nevojiten më shumë shkëmbime të përvojave

Është mbyllur trajnimi për trajnerët e Federatës së Çiklizmit të Kosovës, i organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës në mbështetje të Solidaritetit Olimpik të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Trajnerë të klubeve të ndryshme të çiklizmit, kanë qenë pjesë të këtij trajnimi disa ditore, ku ligjërues ishte eksperti ndërkombëtar nga Unioni Ndërkombëtar i Çiklizmit (UCI), spanjolli, Alejandro Gonzalez-Tablas.

Kryetari i Federatës së Çiklizmit të Kosovës, Avni Nuha, tha se seminar të nivelit të tillë mbahen për herë të parë, dhe sipas tij, këso seminar janë të rëndësishëm për trajner të çiklizmit në vendin tonë.

“Ne dihet që të gjitha federatat që pas përfundimit të konfliktit në Kosovë më 1999 ne nuk kemi pasur këso seminare të nivelit të lartë, dhe me të vërtetë është kënaqësi dhe nder sepse na nevojiten këso shkëmbime përvojash të jashtëzakonshme të të gjitha federatave botërore në të cilat jemi pjesë e tyre. Dua të falënderoj KOK-un që ka bërë një punë të jashtëzakonshme për mundësinë e avancimit të trajnerëve nga Kosova”, tha Nuha.

Ndërkaq, ligjëruesi i këtij trajnimi, spanjolli Alejandro Gonzalez-Tablas e vlerësoi të rëndësishme këtë trajnim për çiklizmin e Kosovës dhe për trajnerët e këtij sporti. Ai thotë se është i kënaqur më grupin e trajnerëve, dhe sipas tij, ka potencial tek trajnerët e çiklizmit të Kosovës.

“Është e rëndësishme për çiklizmin e Kosovës, për të gjithë këta njerëz që të jenë këtu dhe ta dinë se duan të përmirësohen, dhe jam shumë i kënaqur me grupin e trajnerëve që janë këtu, shoh shumë potencial te këta trajnerë dhe shpresoj se do të vazhdojnë të bëhen edhe më të mirë sepse janë pjesë e të ardhmes së çiklizmit të Kosovës”, u shpreh Gonzales-Tablas.

I kënaqur me punën që është bërë gjatë këtyre ditëve në trajnerin për trajnerë të çiklizmit të Kosovës, shprehte edhe Rexhep Baliu, trajner i klubit te çiklizmit Prishtina. Sipas tij, ishte një eksperiencë në këtë trajnim, i cili sipas Baliut, qëllimi ishte aftësimi i trajnerëve në mënyrë që në të ardhmen të punohet në mënyrë sa më profesionale me çiklistët e rinj.

“Kjo ishte një eksperiencë e mirë, një eksperiencë pozitive me që e ka për qëllim aftësimin e trajnerëve që në të ardhmen të jenë sa më të denjë, sa më të aftë që të punojnë me çiklistët e rinj, të të gjitha moshave, prandaj kjo është e mirëseardhur dhe besoj se edhe në të ardhmen do të ketë trajnime të tilla”, theksoi Baliu.

Në kuadër të ciklit olimpik 2017 – 2020 të KOK-ut, gjatë këtij viti janë mbajtur trajnimet për trajnerë të Federatës së Volejbollit të Kosovës, të boksit dhe të xhudos, kurse deri në fund të vitit pritet të organizohen edhe shtatë trajnime me federata tjera.