Java fillon me mot të ngrohtë. Nga e marta pritet përkeqësim i motit me rënie të temperaturave dhe me të reshura shiu. Reshje bore parashihen më shumë në zona kodrinoro-malore.

Kështu thuhet në njoftimin e Prishtina Weather, sipas së cilës java në vijim do të fillojë me kushtet që po mbretërojnë ditëve të fundit, me mot më të ngrohtë, kryesisht me diell e herë herë me vransira kalimtare, derisa temperaturat rriten deri në 20C ditën e hënë.

“Mirëpo nga dita e martë parashihet përkeqësim i motit, me periudha të të reshurave në ditët e ardhshme. Edhe temperaturat pësojnë një rënie të ndjeshme nën vlera mesatare, e mundësi për reshje bore mbeten kryesisht në vise kodrinoro-malore. Ditën e martë reshjet do të jenë të shoqëruara edhe me bubullima. Ditën e premte mbetet mot kryesisht me vransira, por pa gjasa për të reshura.Cilësia e ajrit në përgjithësi mbetet në vlera mesatare dhe të pranueshme në dy ditët e ardhshme. Ditën e hënë e të martë mbi vendin tonë priten depërtime edhe të koncentrimit të pluhurit saharian, që herë-herë rrit koncentrimin e ndotësve ajror e indeksi kalon edhe në vlera të dobëta. Ditën e mërkurë parashihet qarkullim më i mirë ajror, që do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së ajrit, e indeksi zbret edhe në vlera të pranueshme.

12.04 – Ngrohtë, kryesisht me diell. Pasdite dhe në mbrëmje me vransira kalimtare.

13.04 – Më freskët, kryesisht me vransira, e kohëpaskohe me reshje të dobëta shiu, që vende-vende ka gjasa të shoqërohen edhe me bubullima.

14.04 – Ftohtë, kryesisht vranët dhe me reshje të dobëta shiu kohëpaskohe. Në vise kodrinoro-malore edhe reshje bore.

15.04 – Mbetet ftohtë, kryesisht me vransira dhe herë herë me reshje të dobëta shiu, e në vise kodrinoro-malore me borë.

16.04 – Kryesisht me vransira, por pa mundësi për të reshura. Ditën do të ketë edhe intervale me diell”, thuhet në njofitm.

Temperaturat nga dita e martë pësojnë rënie, sipas Prishtina Weather, minimalet nga 6C, deri ditën e premte zbresin edhe në 0C. Maksimalet të hënën rriten në 20C, e më pas pësojnë rënie dhe luhaten nga 7C deri 10C.

Do të fryjë erë e lehtë dhe mesatare nga jugperëndimi 3-8m/s, nga dita e mërkurë nga verilindja 4-10m/s.

Shtypja atmosferike deri të martën me tendencë të rënies përreth vlerave normale, më pas në rritje./21Media