Çfarë është dhuna psikologjike? Shkaqet, pasojat dhe si ta parandalojmë
Me dhunë psikike nënkuptohet presioni i vazhdueshëm ndaj një apo më shumë personave të caktuar, e që përfshinë aspektin psikik dhe emocional.
Psikoterapeuti Yll Avdijaj, në një intervistë për rtv21.tv ka thënë se dhuna psikike mund të jetë disa lloje dhe manifestohet në disa forma: me anë të ngacmimit, provokimit, qortimit, neglizhencës, mospërfilljes, frikësimit, shantazhit, kërcënimit, manipulimit, përqeshjes, ofendimit etj.
Dhuna psikologjike ndaj grave
Avdijaj ka thënë se dhuna psiko-emocionale ndaj grave kryesisht mund të paraqitet në formë të nënçmimit duke filluar nga aspekti fizik, “si psh në dukjen e saj duke e përqeshur për formën dhe strukturën e trupit te saj, gjatësinë, shkurtësinë, trashësinë, bukurinë, sëmundjen, dhe defekte të tjera që mund të ketë etj. Pastaj ofendimi mbi prejardhjen dhe familjen e saj, shkollimin, nivelin intelektual; mohimin e të drejtave elementare të tyre si liria e shprehjes, mendimit dhe marrja e vendimeve për veten e sajë. Kërcënimi me ndëshkim, ofendimi me lloje të shprehjeve më banale etj”.
Dhuna psikologjike te fëmijët
Tutje, psikoterapeuti Yll Avdijaj ka thënë se derisa flasim për fëmijët duhet ditur se ata janë qenie të dobëta dhe të ndjeshme që janë në një proces shumë të rëndësishëm dhe të vrullshëm të zhvillimit të tyre si në aspektin: fizik, seksual, njohës, social, moral etj.
“Lloji i prindërimit dhe qasja e tyre ndaj fëmijëve sigurisht se do të lë gjurmë shumë të thella dhe mjaftë vendimtare gjatë këtij zhvillimi, e sidomos në formimin e karakterit dhe personalitetit të atij fëmije, për në të ardhmen kur ai do të jetë si një i rritur. Ajo që mund të konsiderohet si dhunë psikike te fëmijët është fillimisht neglizhenca emocionale që I bëhet nga prindërit, qortimi dhe ofendimi i vazhdueshëm ndaj fëmijës kur përdoren shprehje ndaj tij si: “ti je një frikacak”, “je I padobishëm”, “je I paaftë”, “hesht se ti nuk dine”, “në nuk e bënë këtë apo atë do të ndëshkoj, do të të mbylli në dollap në dhomë” etj; pastaj presioni dhe detyrimet nga prindëe për të vepruar fëmija konform dëshirave të tyre pa vullnetin e fëmijës etj. Pastaj bullizmi si dukuri, qoftë në familje, jashta saj apo edhe në shkollë, të gjitha këto në përgjithësi bëjnë pjesë në dhunën psikike te fëmijët”, ka shpjeguar Avdijaj.
Dhuna psikologjike në familje
Psikoterapeuti tutje në intervistën për rtv21.tv ka shpjeguar se dhuna psikike në familje kryesisht mund të jetë prezente nëpër ato mjedise familjare ku niveli i edukimit dhe arsimimit dhe i vetëdijes është i ulët, por jo si faktor i vetëm; aty ku ndonjë udhëheqës familjarë apo anëtar i familjes mund të jetë person i traumatizuar apo edhe me ndonjë çrregullim personaliteti, gjasat janë të mëdha që në atë mjedis familjar të ketë dhunë.
“Dhuna nuk është diçka që paraqitet spontanisht tek individi, ajo shpesh here mund të jetë edhe transgjenerative, pra diçka që është bartur duke u modeluar nga prindërit në pasardhës. Pra, siç dihet “dhuna prodhon dhunën derisa nuk del diçka që do ia ndërrojë kahjen kësaj rrjedhe”, ka thënë Avdijaj.
Dhuna psikologjike në çift
Tutje, Avdijaj ka thënë dhuna psikike është një nga faktorët që shpesh here sjell konflikte në çifte, gjë që mund të çojë edhe deri te ndarja te të gjithë ata persona të cilët nuk e tolerojnë një gjë të tillë.
“Dhuna psikike në çifte zakonisht mund të duket si: izolim ndaj partnerit/es, kontrollim i vazhdueshëm i telefonit dhe i rrjeteve sociale të partnerit/es, përzierja në gjërat personale, akuza dhe fajësim i vazhdueshëm duke ia përmendur gabimet, ofendimet, kërcënimet dhe provokimet, tendencat për ta nënshtruar partnerin/en, mohimi i të drejtave, kufizimet e tepruara të shoqërimeve, daljeve, kohës etj”, ka shpjeguar Avdijaj.
Dhuna psikologjike në vendin e punës
Psikoterapeuti tutje ka thënë se dhunën psikike zakonisht mund ta hasim edhe nëpër mjedise të vendeve të punës, ku zakonisht kjo gjë ushtrohet nga hierarkia menaxhuese sic janë: mbikëqyrësit, menaxherët, shefat, drejtorët dhe udhëheqësit e kompanisë, organizatës apo vendit të caktuar të punës.
“Dhunë psikike në punë mund të konsiderohet përpjekja për të dominuar dhe për të përfituar sa më shumë në kurriz të punëtorëve, duke i ngarkuar me punë dhe orar shtesë edhe jashtë kontratës dhe marrëveshjes për punën! Zakonisht kjo bëhet duke i shantazhuar me ulje dhe mosdhënie të pages, ndryshim të postit apo edhe me largim nga puna. Kryesisht viktima të këtyre mjediseve janë persona të cilët kanë frikë, mungesë vetëbesimi dhe zakonisht tentojnë që vazhdimisht t’i kënaqin të tjerët”, ka shpejguar Avdijaj.
Tutje, psikoterapeuti Yll Avdijaj ka folur për shkaqet e dhunës psikologjike.
Ai ka thënë se shkaqet e dhunës psikike mund të jenë të ndryshme, mirëpo zakonisht mund të vërejmë disa faktorë e që në këtë rast kanë të bëjnë me personin dhunues dhe abuzues. “Këta persona kryesisht i udhëheq frika dhe ndjenja e inferioritetit të cilin me çdo kusht tentojnë që ta fshehin dhe mbulojnë duke u kamufluar e duke përdorur superioritetin, autoritetin, agresivitetin, dhunën vetëm e vetëm që fshehin dobësitë e tyre. Një person i këtillë, zakonisht vjen nga një profil traumatik, mbi të cilin në fëmijëri mund të jetë ushtruar dhuna dhe presione psikike!”, ka thënë Avdijaj.
Avdijaj ka shpjeguar edhe për pasojat që ka dhuna psikologjike në mjedisin familjar dhe drejtuar fëmijëve.
“Sigurisht se pasojat e dhunës psikike, si në mjedisin familjar apo edhe te fëmijët prodhon trauma nga llojet e ndryshme. Se si do të paraqiten këto trauma, kjo shumë do të varet nga mënyra se si është përjetuar lloji i caktuar i dhunës. Fatkeqësia e gjithë kësaj është se, nëse ajo dhunë e ushtruar do ta prodhoj një dhunues të ri në të ardhmen. Trauma është cikël vicioz në formë zingjirore; ajo mund të vazhdojë të përsëritet derisa nuk del dikush dhe ta ndaloje atë, ndryshe është e destinuar që të vazhdohet dhe të trashëgohet nëpër gjenerata”, ka shpjeguar Avdijaj.
Psikoterapeuti Yll Avdijaj ka folur edhe për parandalimin e dhunës psikologjike.
Avdijaj ka thënë se në rastet e dhunës psikike, fillimisht duhet kërkuar për t’u këshilluar me ndonjë familjar, apo ndonjë profesionist të shëndetit mendor ose punëtor social në mënyrë që të merren mekanizmat e duhur për ta parandaluar këtë lloj qasjeje. “Në rastet kur kjo dukuri ka eskaluar apo është bërë mjaft problematike si psh kalimi edhe në dhunë fizike, atëherë kjo, domosdoshmërisht duhet të lajmërohet në organet kompetente të sigurisë siç janë policia dhe instanca të tjera më të larta gjyqësore. Asnjëherë nuk duhet heshtur ndaj dhunës, çfarëdo lloji qoftë ajo! Heshtja ndaj këtij fenomeni nuk do të rregullojë asgjë, patjetër se dikush do të jetë viktimë dhe i dëmtuar nga kjo. Jeta e njeriut është shumë më e rëndësishme se sa lidhja familjare, partnerore, vendi i punës etj, që janë toksike”, ka thënë Avdijaj./21Media