Çfarë ndodhi të mërkurën në Ukrainë?
Të paktën 22 persona u vranë dhe 50 të tjerë u plagosën, pas një sulmi rus në një stacion hekurudhor në rajonin Dnipropetrovsk të Ukrainës. Presidenti Volodymyr Zelensky i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se vagonët e trenave u goditën në stacionin Chaplyne, rreth 110 km në perëndim të Donetskut në Ukrainën lindore.
Ukraina shënoi Ditën e Pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik. Ngjarjet publike për festën u ndaluan në Kiev për shkak të shqetësimeve se ato mund të bëheshin objektiv për sulmet e reja ruse.
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson bëri një vizitë të papritur në Kiev, e treta që nga fillimi i luftës, për të shënuar Ditën e Pavarësisë. Ndërsa ishte atje, ai tha se Ukraina “mund dhe do të fitojë kundër Rusisë”.
E mërkura gjithashtu shënoi gjashtë muaj që kur Rusia pushtoi Ukrainën. Shefi i OKB-së, Antonio Guterres e përshkroi atë si “një moment historik të trishtuar dhe tragjik”, duke shtuar se pasojat e “luftës së trishtuar dhe të pakuptimtë” po ndjeheshin shumë përtej Ukrainës.
Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi më herët 3 miliardë dollarë mbështetje të re ushtarake amerikane për Ukrainën – paketa më e madhe amerikane deri më tani, e cila do ta ndihmojë Ukrainën të marrë armatim dhe pajisje.
Kyrylo Budanov, një nga zyrtarët më të lartë të inteligjencës ushtarake të Ukrainës, sugjeroi se ofensiva e Rusisë po ngadalësohet për shkak të “lodhjes morale dhe fizike”. Por ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu pretendoi se Moska e kishte ngadalësuar qëllimisht fushatën e saj në një përpjekje për të zvogëluar viktimat civile./21Media