Zvicerani Bernard Challandes do të vazhdojë t’i prijë Përfaqësueses së Kosovës në futboll deri në vitin 2022.

Marrëveshja e re është arritur sot në takimin që presidenti Agim Ademi së bashku me sekretarin e përgjithshëm, Eroll Salihun e kanë zhvilluar me trajnerin zviceran, e ku palët janë dakorduar që ta vazhdojnë rrugëtimin e përbashkët edhe për dy vjet.

Deri te marrëveshja e re ka ardhur si rezultat i punës së mirë dhe sukseseve të arritura të Dardanëve në periudhën 2018-2020, derisa me punën e trajnerit zviceran kanë qenë të kënaqur të gjithë.

Në anën tjetër, edhe Challandes është i kënaqur me punën, kushtet dhe gjithçka që ofron FFK-ja.

Tani, përqendrimi është te dy ndeshjet e radhës kundër Moldavisë dhe Greqisë, me shpresë dhe besim për suksese të reja.