Përfaqësuesja e Kosovës në futboll nesër do të nisë garat në Ligën e Kombeve.

Sfida e parë do të jetë në Parma të Italisë kundër Moldavisë, e cila nuk ka pranuar të luajë si vendës përballë Kosovës, pasi nuk e njeh si shtet.

E para ndeshjes është deklaruar strategu zviceran, Bernard Challandes, i cili ditë më parë ka zgjatur kontratën edhe për dy vjet me Kosovën.

Ai në video-konferencë ka thënë se të përzgjedhurit e tij do të luajnë për fitore.

“Është një test i mirë për ne dhe është e rëndësishme që të luajmë mirë dhe të fitojmë”, është shprehur strategu zviceran.

Ai ka pranuar se ka dallime në formën e lojtarëve, ku disa prej tyre janë në faza të ndryshme të përgatitjeve, por se në “Enzio Tardini” do të luajnë për tri pikë, të cilat do të ishin të rëndësishme para ndeshjes së dytë të grupit në ‘Fadil Vokrri’, kundër Greqisë.