Sulmi në digën Nova Kakhovka, Ukraina kërkon takim urgjent në OKB, Rusia nis hetim penal

(Lajm i përditësuar)


Rusia nis hetim penal për hedhjen në erë të digës Nova Kakhovka

Rusia thotë se ka nisur një hetim penal për hedhjen në erë të digës Nova Kakhovka, raporton Reuters.

Komiteti Hetues i Rusisë tha se kishte nisur një hetim penal për shkatërrimin brenda natës të digës hidroelektrike Kakhovka në pjesën e kontrolluar nga Rusia të rajonit Kherson të Ukrainës.


Ukraina kërkon takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së

Ministria e Jashtme e Ukrainës ka bërë thirrje për një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar atë që e quajti një “akt terrorist rus kundër infrastrukturës kritike të Ukrainës” në digën Nova Kakhovka.

Në një deklaratë, ministria bëri thirrje gjithashtu që bordi i guvernatorëve të agjencisë atomike të OKB-së të diskutojë incidentin dhe kërkoi sanksione të reja ndaj Rusisë nga G7 dhe BE, me një fokus të veçantë në industrinë ruse të raketave dhe sektorin bërthamor.

Ministria i bëri thirrje gjithashtu BE-së të angazhojë mekanizmin e saj të mbrojtjes civile, i cili mund t’u japë ndihmë atyre në nevojë pas një fatkeqësie natyrore ose të shkaktuar nga njeriu.


Shefi i BE-së e quan sulmin ndaj digës një krim lufte

Charles Michel, Presidenti i Këshillit Evropian, thotë se është “i tronditur nga sulmi i paprecedentë” në digën në rajonin Kherson.

“Shkatërrimi i infrastrukturës civile kualifikohet qartë si një krim lufte”, thotë ai në një postim në Twitter.

Michel fajëson Rusinë për sulmin, duke thënë se Këshilli i BE-së do ta mbajë Moskën përgjegjëse për veprimet e saj. Ukraina ka akuzuar Rusinë për kryerjen e sulmit në qytetin Nova Kakhova të pushtuar nga Moska, por kryebashkiaku i instaluar nga Moska ka fajësuar Ukrainën për sulmin.

Michel shton se do të propozojë më shumë ndihmë për zonat e përmbytura në një samit të ardhshëm të liderëve të BE-së në Bruksel.


Rusia ka hedhur në erë digën e madhe të Ukrainës, thotë Kievi

Ushtria e Ukrainës ka akuzuar forcat ruse për hedhjen në erë të një dige të madhe në rajonin Kherson të pushtuar nga Moska në jug të vendit.

Të paktën tetë vendbanime të ndryshme në rajon tashmë janë përmbytur, tha një zyrtar ushtarak lokal.

Evakuimet tashmë janë duke u zhvilluar, thonë zyrtarët, me të paktën 16,000 njerëz në rrezik nga përmbytjet

Një zyrtar lokal i instaluar nga Rusia tha se vetëm pjesa e sipërme e termocentralit u shkatërrua nga granatimet – por jo vetë diga, përcjell portali rtv21.tv

Edhe kreu rajonal i Khersonit, Oleksandr Prokudin ka akuzuar Rusinë për kryerjen e “një akti tjetër terrori”.

Në një video-mesazh urgjent të postuar në rrjetet sociale, ai paralajmëron se nivelet e ujit në lumin Dnipro do të jenë “kritike” brenda pesë orëve”.

Prokudin thotë se evakuimi i atyre banorëve që jetojnë në zonat e kërcënuara në bregun e djathtë (perëndimor) të lumit Dnipro, të kontrolluar nga Ukraina, tashmë ka filluar.

Dhe ai gjithashtu u bën thirrje banorëve në bregun përballë – aktualisht nën kontrollin rus – të largohen menjëherë nga shtëpitë e tyre./21Media

 

 

Back to top button