Cilat nëna lehona do të subvencionohen me nga 500 euro, tregon drejtoresha Sahiti

Drejtoria për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës ka propozuar vendimin që nënat lehona të skemës së ndihmës sociale të subvencionohen me nga 500 euro.

E pyetur se si ka ardhur deri te ky propozim, drejtoresha Adelinë Sahiti sot për rtv21.tv ka deklaruar se ideja ka ardhur nga një sërë rezultatesh.

“Në takimet e drejtpërdrejta e të vazhdueshme me qytetarë, në bazë të diskutimeve me ta e që janë përfitues të skemës sociale e po ashtu kërkesat që pranojmë në vazhdimësi në drejtorinë tonë, e mbi të gjitha në bazë të gjetjeve nga Hulumtimi i Vlerësimit të nevojave të familjeve me skemë sociale, në kuadër të fuqizimit të familjeve, gjegjësisht në bazë të nevojës për ndihmë të njëhershme financiare, Drejtoria për Mirëqenie Sociale ka propozuar vendimin për subvencionim të nënave/lehonave përfituese të skemës së ndihmës sociale me 500€.”, ka bërë të ditur ajo.

Sahiti ka theksuar se përfituese të këtij subvencioni do të jenë të gjitha ato gra/nëna që janë pjesë e skemës së asistencës sociale dhe të regjistruara në regjistrat civilë, me adresë të vendbanimit në Komunën e Prishtinës.

Propozim-vendimi për subvencionimin e nënave lehona të skemës së ndihmës sociale me nga 500 euro është mirëpritur nga të gjitha partitë politike e drejtoresha Sahiti shpreson që të kenë mbështetje edhe në seancën e 10 majit.

“Gjatë ditës së djeshme unë paraqita, e mbrojta idenë tonë për subvencionimin e këtyre nënave/lehonave, para Komitetit për Politikë dhe Financa të komunës së Prishtinës. Ajo u mirëprit nga të gjitha partitë politike pa dallim e që janë të përfaqësuara në Kuvendit Komunal të Prishtinës. Po shpresoj shumë që e njëjta mbështetje do të jetë edhe në seancën e radhës më 10 maj, ku presim përkrahjen e të gjithë këshilltarëve komunal”, ka deklaruar ajo.

Sipas Sahitit, vendimi pasi të aprovohet në Kuvendin komunal të Prishtinës, do të hyjë në fuqi 15 ditë pas regjistrimit në Zyrën e protokollit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, si dhe publikimit në gjuhën zyrtare në web-faqen e Komunës./21Media

Artikuj të ngjashëm

Shikoni Gjithashtu
Close
Back to top button
close button