Presidenti i zgjedhur po premton një ndryshim të madh në mënyrën se si Shtëpia e Bardhë do t’i çaset koronavirusit .

Ekipi i Biden ka thënë se do të sigurojë që të gjithë amerikanët të kenë qasje në testime të rregullta dhe falas dhe të sigurojë “udhëzime të qarta, të qëndrueshme, të bazuara në prova”.

Biden, në lëvizjen e tij të parë zyrtare si president i zgjedhur, krijoi bordin këshillues për Covid-19, i cili do të drejtohet nga bashkëkryetarët Dr. David Kessler, i cili shërbeu nën administratën e George HW Bush dhe Clinton si komisioner i FDA; Dr. Vivek Murthy, kirurg i përgjithshëm nën administratën e Obamës; dhe Dr. Marcella Nunez-Smith, një profesor i asociuar i mjekësisë së brendshme, shëndetit publik dhe menaxhimit në Universitetin Yale, përcjell portali rtv21.tv

Biden gjithashtu dëshiron rregulla që urdhërojnë mbajtjen e maskave në të gjithë vendin, masë me të cilën ai thotë se do të shpëtonte mijëra jetë. Ai planifikon t’i bëjë thirrje çdo amerikani që të veshë një maskë kur ata janë pranë njerëzve jashtë shtëpisë së tyre dhe dëshiron që guvernatorët e shtetit dhe autoritetet lokale ta bëjnë këtë të detyrueshme.

Presidenti i zgjedhur është shfaqur rregullisht në publik duke bartur maskë.

Rastet në SHBA u rritën me më shumë se 100,000 të dielën për të pestën ditë me radhë ndërsa më shumë se 237,000 njerëz kanë vdekur. Në fillim të këtij muaji, eksperti i lartë  amerikan Dr Anthony Fauci tha se SHBA “nuk mund të pozicionohej më dobët” ndërsa vendi po afrohej dimrit dhe njerëzit kalojnë më shumë kohë duke u mbledhur brenda.

Biden gjithashtu njoftoi planet për të rindezur ekonominë amerikane të goditur nga virusi, duke rritur prodhimin, duke investuar në infrastrukturë, duke e bërë kujdesin për fëmijët më të përballueshëm dhe duke zvogëluar hendekun e pasurisë midis grupeve të ndryshme etnike./21Media