Çitaku: Amatera të rrezikshëm, udhëheqja e shtetit nuk është lojë fëmijësh

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka reaguar pas lirimit të ish policit serb, Dejan Pantiq. Ajo i ka quajtur udhëheqësit e vendit amatera.
“Betejat të cilave nuk ke dije, guxim dhe vendosshmëri me ju shku deri në fund, është më mirë mos me i nisë fare. Amatera të rrezikshëm. Udhëheqja e shtetit nuk është lojë fëmijësh.”, ka shkruar Çitaku.
Gjykata Themelore e Prishtinës ka aprovuar kërkesën nga Prokuroria e Speciale për zëvendësimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak të Dejan Pantiq.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka ngritur pyetje se si mund të lirohet në arrest shtëpiak një i akuzuar për vepër terroriste.
“A është e arsyeshme e vendos gjyqësori, pra është gjykatësi i procedurës paraprake me rastin e kërkesës përkatëse të prokurorit. Mi9rëpo kur ke një akuzë për terrorizëm të dërgohesh në arrest shtëpiak unë jam shumë kureshtar ta marr vesh se cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë e cili është ai gjyqtar që e aprovon”, ka deklaruar Kurti.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, tha se vendimi i sotëm për dërgimin e ish-policit Dejan Pantiq në arrest shtëpiak shënon “një goditje të rëndë për kredibilitetin edhe ashtu shumë të dëmtuar të prokurorisë dhe gjykatave në Kosovë”./21Media

Back to top button