Manchester City ka vazhduar me formë impresive. Skuadra e Pep Guardiolas të martën mbrëma shënoi fitoren e 21-të rresht. City fitoi 4:1 ndaj Wolverhamptonit, në kuadër të javës së 29-të të Premier Leagues.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 15-të me ç’rast vendasit kaluan në epërsi me një autogol të Leander Dendoncker.

Në fund të pjesës së parë, City e dërgoi edhe një herë topin në rrjetë, mirëpo goli u anulua për pozitë jashtë loje me ndihmën e VAR-it.

Mysafirët arritën ta barazonin rezultatin në pjesën e dytë (61’) kur Conor Coady shënoi pas një harkimi të Joao Moutinhos nga gjuajtja e lirë.

Nikoqirët e rikthyen epërsinë me golin e Gabriel Jesus (80’), ndërsa Riyad Mahrez realizoi një gol të bukur (90’+1).

Në minutat shtesë (90’+4), Gabriel Jesus e shënoi golin e dytë personal dhe pas shqyrtimit të VAR-it u konfirmua se goli qëndron.

Ndryshe, më 15 dhjetor Manchester City ka dështuar së fundi të fitoi. Kishte luajtur 1:1 me West Bromin. Prej atëherë ka 21 fitore rresht në të gjitha garat. Manchester City po ashtu ka barazuar rekordin e klubit prej 28 ndeshjeve rresht pa humbje.