Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka bërë të ditur çështjet mbi të cilat ai dhe homologu i tij i Maqedonisë Veriore Zoran Zaev janë dakorduar gjatë vizitës në Shkup.

Pika e përbashkët kufitare, ku lidhet autostrada Prishtinë-Shkup, gazsjellësi Shkup-Prishtinë, rruga Prizren-Tetovë, qendra e përbashkët e skijimit, janë çështjet për të cilat Hoti tha se janë dakorduar me Zaev.

“Këto dhe çështje të tjera diskutohen në mbledhjen e përbashkët të dy Qeverive Kosovë-Maqedoni Veriore”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ndryshe, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka paralajmëruar mbledhje ndër-qeveritare mes Kosovës dhe Maqedonisë. Ai ka thënë se kjo do të ndodhë posa të krijohen kushtet epidemiologjike.

Të njëjtën e ka konfirmuar edhe Hoti, i cili ka thënë se sapo të krijohen kushtet do të mblidhen për të identifikuar mundësitë për arritjen e marrëveshjeve të reja mes dy vendeve.