Çka pritet të ndodh me 1 shtator, a do të vendoset reciprociteti?

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e masës së reciprocitetit me Serbinë nga prizmi i analistëve shihet si vendim i drejtë.
Analisti Fidan Ukaj për portalin rtv21. tv e cilësoi si të tillë pasi që erdhi me kërkesë të SHBA-së si aleat strategjik, megjithatë pati kritika për Qeverinë e Kosovës.
“Mirëpo kritika ime është ne vendimet dhe veprimet e kësaj qeverie, veprime të pa koordinuara me aleatet, e të pa vendosur për t’i çuar deri në fund vendimet e marra, dhe veprimet e tilla e dëmtojnë imazhin e Kosovës, sepse shteti po sfidohet nga një strukturë kriminale, strukturat paralele, e që kjo qeveri kishte premtuar se do t’i zhbënte. Është hera e dytë që kjo qeveri “negocion” me këto struktura kriminale duke u tërhequr nga vendimet e veprimet e saja në këmbim të largimit të kamionëve nga rruga, veprime ilegale, e të dënueshme me ligj, e këto mos-veprime përball këtyre strukturave kriminale e dëmtojnë imazhin e Kosovës si shtet dhe i rrezikojnë strukturat e sigurisë, si Policinë e Kosovës, sepse krijohet bindja se me bllokim të rrugëve dhe duke i sulmuar policin, kjo qeveri tërhiqet nga vendimet e saja, e që është një precedent i rrezikshëm. Policia e Kosovës është dashtë t’i largoje ata kamion nga rruga dhe t’i arrestoje ata që mund të ishin gjendur nëpër ata kamionë, t’i shpall në kërkim organizatoret, e me pas qeveria e Kosovës te njoftoje për shtyrjen e afatit te zbatimit te reciprocitetit. “, vlerësoi Ukaj.
Kurse, analisti Dorajet Imeri tha se vendimin për shtyrjen e aplikimit të masës se reciprocitetit, duhet të analizojmë në disa rrafshe.
“ Si: atë te brendshëm, me saktë me raportin që ka qeveria e vendit me kontrollimin e efektshëm të gjithë territorit të Kosovës dhe në veçanti të ruajtes së rendit dhe ligjit ne tërë territorin e Kosovës, së dyti, duhet të shohim nga prizmi i raporteve që ka Serbia me qytetaret serbë të Kosovës, të cilët duke qenë të instrumentalizuar, kanë penguar zhvillimin e njëtrajtshëm të vendit, duke bërë që kjo edhe të jetë një nga pikat e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.”, tha Imeri për portaln rtv21.tv
Sipas tij Kosova, as nuk ka humbur, e as nuk ka fituar shumë nga kjo ngjarje.
“Por aspekti negativ i kësaj ngjarjeje, tregohet se sovraniteti i brendshëm në atë zonë është vështirë i arritshëm, ndërsa tashmë kjo është rikonfirmuar disa herë, ndërsa e vetmja zgjidhje, mbetet një marrëveshje me Serbinë, ne anën tjetër, pozitive, është fakti se amerikanet e pranojnë dhe e përkrahin të drejtën e Kosovës për të ushtruar reciprocitet të çfarëdollojshëm me Serbinë.”, deklaroi ai.
E analisti Dritëro Arifi, vendimin për shtyrjen e masës së reciprocitetit e quajti vendim të logjikshëm në rrethanat që u krijuan duke shtuar se tani është krijuar një partneritet strategjik mes Qeverisë Kurti dhe SHBA-ve.
“Mendoj që kjo do të jep rezultate në fund të procesit por gjithsesi duke shpresuar se me 1 shtator masat do të hyjnë në fuqi pavarësisht mandej rrethanave sepse në një farë mënyre vendimi për shtyrjen ka dërguar mesazh edhe të serbët lokal që nuk është asgjë kundër tyre, por edhe te Bashkimi Evropian që të ndërmarrin masa sa më shpejtë sepse problem nuk është zgjidhur dhe moszgjidhja e problemit në Ballkanin Perëndimor apo në këtë rast mes Serbisë dhe o tregon që mund të eskalon në çdo moment.”, tha Arifi
Çka pritet të ndodh me 1 shtator, a do të vendoset reciprociteti?
Analistët për portalin rtv21.tv treguan parashikimet e tyre se çfarë mund të ndodh më 1 shtator.
Sipas Fidan Ukajt do të provohet të gjindet një zgjidhje përmes bisedimeve. Ai vlerëson se qëllimi i Serbisë është që të krijojë probleme në terren.
“E më pas të mundohet t’i kthej në tryezën e bisedimeve, gjoja në “zgjidhje paqësore” e në tryezën e bisedimeve t’i neglizhoje, duke i çuar në pafundësi bisedimet, e në terren duke mbetur e njëjta gjendje. Mendoj se qeveria e Kosovës duhet të jetë e vendosur që më datë 1 shtator ta vendosë reciprocitetin nëse nuk do të ketë një dakordim për zbatim të kësaj mase.”. tha Ukaj.
Kurse, analisti Dritëro Arfi shprehet optimisti se masa e reciprocitetit do të vendoset me 1 shtator.
“Po jam i bindur se me 1 shtator do të vendoset reciprociteti sepse edhe SHBA-të nuk janë kundër atij vendimi dhe madje nuk do të dilte asgjë serioze nga kjo çështje nëse nuk do të vendosjes reciprociteti”, tha Arifi.
Megjithatë të kundërtën po e mendon analisti, Dorajet Imeri.
“Asgjë, nuk ka gjasë të filloje aplikimi i kësaj mase, pres paraprakisht një takim me liderët. Aty mund të ketë një marrëveshje”, ta Arifi për portalin rtv21.tv.
A mund të ketë përshkallëzim të situatës me vendosjen e reciprocitetit në shtator?
Analisti Fidan Ukaj nuk e përjashton mundësinë e përshkallëzimit të situatës.
“Gjasat me u përshkallëzu situata janë të mëdha sepse dy herë Qeveria e Kosovës është tërhequr përball strukturave paralele kriminale dhe apetitet e tyre tanimë janë rritur se “mund t’i sfidojnë organet e sigurisë së Kosovës”. Shtetet e Bashkuara te Amerikës tanimë presionin do ta përqendrojnë në Serbi dhe te presidenti Vuçiq, dhe nëse nuk ka një tërheqje nga ana e Serbisë, SHBA-të do t’i miratoj vendimet dhe veprimet e institucioneve të Kosovës në vendosjen e reciprocitetit.”, tha Ukaj.
Edhe Dritëro Arifi thotë se situata do të dal jashtë kontrollit.
“Sepse Serbia është e interesuar për konflikt, por mendoj se SHBA-të kësaj radhe do të jenë shumë më të vendosura dhe në këtë aspekt mendoj se roli I SHBA-ve do të jetë vendimtar edhe në vendosjes e reciprociteti por besoj që do të jenë vendimtar edhe në çështjen e dialogut final sepse po vërehet se pa u zgjidhur dialogu final problemet do të jenë të vazhdueshme.”. deklaroi Arffi.
Pse Serbia po provokon konflikt, cili është përftimi i saj?
Analistët pohojnë se Serbia dëshiron të nxisë konflikt. Sipas Fidan Ukajt me këtë Serbia synon dështimin e marrëveshjeve të arritura.
“Dështimi i procesit te dialogut në përgjithësi dhe Serbia nuk është e interesuar për një marrëveshje finale me Kosovën, dhe përmes këtyre veprimeve deri me tani ja ka arritur këtyre qëllimeve, duke e zgjatur dialogun në më shumë se dhjetë vite dhe rezultatet pothuajse zero. Sigurisht se Serbia ka marrë dhe merr direktiva nga Rusia, deri sa ekziston një qendër e spiunazhit rus në Serbi koordinimi dhe direktivat ekzistojnë. “, tha Ukaj.
Dritëro Arifi thotë se Serbia dëshiron të nxisë konflikt nganjëherë me çdo çmim edhe pse i din kapacitetet e veta në raport me KFOR-in apo me NATO-n. Ai vlerëson se Serbia dëshiron ta mbajë gjendjen nën tension gjithmonë.
“Sepse tash duhet të ketë vëmendje përveç politike edhe ushtarake në rajonin e Ballkanit perëndimor dhe në një farë forme kjo është fitore e Rusisë. Duhet kuptuar që në krejt këtë katrahurë Bashkimi Evropian është ai aktori që nuk mund të bëjë asgjë dhe vetëm shikon dhe për fat të keq bën edhe dëm më shumë siç ishte rasti i Spanjës i cili në një farë forme e trimëronte Serbinë që të vazhdojë tutje në rrugën e saj destruktive në Balkanin Perëndimor gjithmonë duke i dhënë poena Rusisë që në njëfarë mënyrë të krijojë tensione edhe nëse jo konflikte të krijojë tensione në BP që bota perëndimore të jetë e angazhuar po themi kushtimisht edhe në një front dhe kjo është ajo Serbia çka do të përfitonte sepse Serbia po pret që kur të përfundoj konflikti lufta në Ukrainë varësisht nga rirreshtimi gjeopolitik I marrëdhënieve ndërkombëtare mund të përfitonte shumë ma shumë se sa që është tash kuptohet varësisht cilën anë do ta zgjedhtë”, deklaroi Arifi.
Pas paralajmërimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masës se reciprocitetit me Serbinë me datën 1 gusht, një ditë më herë me 31 gusht serbët në veri të Kosovës vendosën barrikada e po ashtu pati edhe gjuajtje me armë ndaj Policisë së Kosovës si dhe keqtrajtim të disa shqiptarëve. Me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeveria e Kosovës vendosi që masa e reciprocitetit me Serbinë të shtyhet për 30 ditë. /21Media

Back to top button