Mbeturina në çdo cep, ujë që vërshon nëpër rrugë, mungesë e  kanalizimit atmosferik dhe atij fekal, rrugë të paasfaltuara dhe deponi mbeturinash… Me këto përballen turistët dhe adhuruesit e natyrës në Kodrën e Diellit.

Siç duket, edhe ky sezon turistik do të  jetë i lodhshëm për turistët por edhe për vetë pronarët e biznesve, pasi që edhe këtë vit nuk është bërë asnjë investim në qendrën më të bukur turistike që ka fal natyra.

Pushuesit të dielën thanë se infrastruktura, vendparkimet, por edhe  ndërtimet pa leje të vikend shtëpizave që siç thanë, i mundëson Komuna e Tetovës, vazhdojnë që të jenë ndër problemet më të mëdhaja në Kodrën së Diellit.

“Unë jam shumë vite këtu dhe asnjëherë deri më tani nuk kam parë që në këtë vend të rregullohet apo ndërtohet diçka. Infrastuktura është shkatërruar komplet, unë nuk mund ta kuptoj shtetin dhe politikën që  në një resurs kaq të bukur që rrallë e gjen në Evropë, të mos rregullohet dhe ndërtohet. Unë shpesh e them se nëse politika do t’i bëjë të mirë Tetovës, duhet të investojë në Kodrën e Diellit  sepse kjo do i sjellë Tetovës dhe tetovarëve shumë të mira në ekonomi dhe gjithë njerëzve rreth Tetovës”, u shpreh Arif Ziberi.

“Sigurisht që duhet të investohet po ka programe qeveritare që të bëhen disa gjëra, me atë që kam dëgjuar unë, do merren masa për Kodrën e Diellit ndërsa këtu duhet të ketë edhe plan urbanstik se stili i vikendshtëpizave që është bërë është një katrahurë, këtu duket si Kandahar me qen jo vend për të pushuar, shikoni si i kanë bërë…”, tha një turist.

Si për ironi, në rrugën ku mund të shkohet në vendet më të bukura të Malit Sharr, si në ujvarat e Leshnicës apo edhe tek stanet, gjendet një deponi e egër që për vite të tëra vazhdon të  mos bëhet asgjë nga kompetentët për eliminimin e të njëjtës.

Tash e disa vite me radhë mbi vikend-shtëpizat në Kodrën e Diellit,  gjendet deponia. Autoritetet komunale, të cilët edhe janë përgjëgjës për atë lagje nuk kanë ndërmarrë anjë hap për pastrimin e së njëjtës.

Në Kodrën e Diellit, dikur ka ekzistuar edhe një teleferik, i cili nga konflikti i vitit 2001 është dëmtuar dhe që nga ajo kohë nuk është regulluar më. Partitë politike ­çdo herë kanë premtuar rregullimin e të njejtit dhe së fundmi një premtim të tillë e bëri edhe kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, i cili për Tv 21 ka thënë që nëse koalicioni LSDM fiton zgjedhjet ky teleferik dhe revitalizimi i Kodrës së Diellit do të realizohet brenda 4 vitesh.

“Teleferiku është i ndërlidhur edhe me revitalizmin e Kodrës së Diellit. Edhe teleferiku edhe revitalizimi i Kodrës së Diellit do të bëhet brenda katër viteve, brenda mandatit të ardhshëm por ka 20 vjet që BDi as e ka në plan ta bëjë”, ka deklaruar Bilall Kasami – Kryetar i Lëvizjes Besa. (08.07.2020)

Vitin që  lamë pas, në Kodrën e Diellit për shkak të mungesës së borës, as edhe një ditë të vetme nuk ka pasur sezon skijimi. Ndërsa, edhe ndërtimi i  sistemit për borë artificiale ka vite që është premtuar dhe nuk është realizuar ku edhe për këtë qëllim ka filluar të ndërtohet një pishinë, por ky projekt u la përgjysmë. Partitë politike PDSH, BDI dhe koalicionit ASH dhe Alternativa nënshkruan edhe një deklaratë me shoqatën “Ta shpëtojmë Kodrën e Diellit” për investime në këtë vend turistik, raporton TV21./21Media