Çmimet e naftës stabile, investitorët inkurajohen nga rritja e eksporteve kineze

Çmimet e naftës u stabilizuan afër nivelit 75 dollarë në tregjet ndërkombëtare sot, pasi të dhënat mbi eksportet kineze tejkaluan shqetësimet për kërkesën në SHBA dhe Kinë, duke ofruar një kundërpeshë ndaj prodhimit të lartë të SHBA.

Në tregun e Londrës, çmimi i një fuçie pas mesditës ishte 60 cent më i lartë se në mbylljen e tregtimit të djeshëm dhe arriti në 74.90 dollarë.

Në tregun amerikan një fuçi u tregtua sot me një çmim 56 cent më të lartë, 69.94 dollarë.

Tregjet u tronditën dje nga një rritje në inventarët e benzinës në SHBA javën e kaluar, me 5.4 milionë fuçi, sipas një raporti nga Departamenti i Energjisë, duke sinjalizuar kërkesë të dobët. Analistët kishin pritur rritje shumë më modeste.

“Nuk është sezoni i pikut të gazit, por kërkesa për fundjavën e zgjatur të Ditës së Falënderimeve ishte e vakët,” shpjegon John Kilduff nga Again Capital LLC.

“Ka shenja të një kolapsi të kërkesës për benzinë,” tha Dennis Kissler nga BOK Financial.

 

Gjendja në treg nuk u përmirësua as nga rënia e stoqeve të naftës bruto, me 4.6 milionë fuçi, pasi tregtarët u fokusuan në nivele të larta prodhimi.

Ditën e sotme, nervozizmi është përforcuar nga të dhënat për rënien e importeve kineze të naftës në muajin nëntor, me nëntë për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, duke reflektuar kërkesë më të dobët në kushtet e inventareve të larta dhe treguesve të dobët ekonomikë.

Investitorët u inkurajuan disi nga një rritje e lehtë në eksportet e përgjithshme kineze, pas pesë muajsh të varfër, pasi ajo tregon për një rimëkëmbje në industri falë rritjes së tregtisë globale.

“Importuesi më i madh në botë i naftës (Kina) po humbet oreksin për naftë dhe çmimet janë nën presion pasi prodhuesi më i madh në botë, SHBA, vazhdon të prodhojë me fuqi të plotë”, shpjegon John Evans nga PVM Oil.

Arabia Saudite dhe Rusia, dy eksportuesit më të mëdhenj në botë, u bënë thirrje sot të gjithë anëtarëve të OPEC+ që t’i bashkohen marrëveshjes për furnizim të reduktuar.

Nga ana tjetër, Algjeria njoftoi se nuk përjashton mundësinë e një reduktimi edhe më të ndjeshëm të ofertës, për një periudhë edhe më të gjatë, pasi çmimet e naftës kanë rënë në një nivel të ri të ulët në pesë muaj. OPEC + së fundmi vendosi të shkurtojë më tej furnizimin në tremujorin e parë të 2024.

OPEC raportoi veçmas se një fuçi e shportës së naftës të anëtarëve të tij ra 1.70 dollarë në 78.31 dollarë të mërkurën.

Back to top button