Corriere dello Sport: Kosova për historinë, shteti i vogël që ëndërron Botërorin

(Lajmi i përditësuar)


Kosova dhe Turqia do të përballen në një nga ndeshjet më të rëndësishme të viteve të fundit, në finalen e “play-offit” për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

Takimi zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe pritet të sjellë një atmosferë të zjarrtë, me përkrahjen e madhe të tifozëve vendas për “Dardanët”. Për Kosovën, kjo është një mundësi historike për të siguruar pjesëmarrjen e parë në një Botëror.


Corriere dello Sport: Kosova për historinë, shteti i vogël që ëndërron Botërorin

Kosova është një tjetër “përrallë ballkanike”, një përzierje rrënjësh, largimesh, rikthimesh dhe fëmijësh të shpërndarë në gjithë Evropën, shkruan Corriere dello Sport.

Kombëtarja e Kosovës ëndërron pjesëmarrjen e parë në Kupën e Botës dhe sot ajo ëndërr nuk duket më aq e largët. Fitorja dramatike në Sllovaki, 4-3, i ka dhënë edhe më shumë peshë ambicieve të kësaj skuadre dhe ka rritur entuziazmin rreth një përfaqësueseje që, edhe pse i ri si shtet, është tashmë e pasur me histori, identitet dhe ndjenjë përkatësie.

Në këtë rrugëtim është i pranishëm edhe një element italian, pasi kapiteni është Amir Rrahmani, aktualisht i lënduar, por që pritet të jetë në Prishtinë për të mbështetur shokët e tij.

Më shumë sesa një ekip kombëtar, Kosova është si një hartë emocionesh. Nga 23 lojtarët e grumbulluar, 13 kanë lindur jashtë vendit dhe vetëm 10 në Kosovë. Zvicra, Gjermania, Suedia, Kroacia dhe Belgjika janë vendet ku shtrihet kjo hartë, vendet ku janë rritur lojtarët e diasporës, të cilët, pavarësisht largësisë, kanë mbetur të lidhur fort me fanellën e Kosovës, që për shumë prej tyre përfaqëson shumë më tepër sesa futbollin, shkruan gazeta italiane. Kjo skuadër është ndërtuar mbi dy shtylla: ata që kanë qëndruar dhe ata që janë larguar. Dhe ndoshta pikërisht ky kombinim është forca e saj më e madhe.

Franco Foda, identitet i përzier edhe në stol

Edhe trajneri Franco Foda përfaqëson këtë ide të identitetit të përzier. I lindur në Gjermani dhe me origjinë italiane nga ana e babait, ai ka bashkuar në vete kultura të ndryshme. Si futbollist dhe trajner, ai ka qenë gjithmonë i njohur për disiplinën, por në Kosovë ka gjetur diçka më shumë: një skuadër që duhet formuar jo vetëm taktikisht, por edhe emocionalisht.

Ish-përzgjedhësi i Austrisë në Euro 2020, që nga viti 2024 drejton një grup ku bashkëjetojnë stile të ndryshme loje, rrugëtime të ndryshme dhe kultura të ndryshme futbolli, por që bashkohen nga një dëshirë e përbashkët për sukses.

Muriqi dhe Zhegrova, fytyra e talentit kosovar dhe lidhja me Italinë

Forca teknike e Kosovës qëndron kryesisht në repartin ofensiv, ndërsa . Vedat Muriqi, i njohur si “pirati”, mbetet pika kryesore e sulmit dhe figura më e njohur e skuadrës. Përkrah tij është edhe talenti i pastër si Edon Zhegrova, një lojtar që sjell kreativitet dhe fantazi në lojë. Edhe pse nuk luajti në 90 minutat e ndeshjes ndaj Sllovakisë, ai mbetet një nga armët më të forta të Kosovës.

Në portë është Arijanet Muriç, ndërsa në mbrojtje Mërgim Vojvoda. Në mesfushë, përvoja dhe energjia vijnë nga Valon Berisha, një tjetër produkt i diasporës. Skuadra kombinon fizikun ballkanik me përgatitjen qendrore-evropiane, duke krijuar një përzierje unike cilësish.

Kosova beson te Botërori 2026

Nuk është rastësi që Kosova, edhe pse një emër relativisht i ri në futbollin ndërkombëtar, ka arritur të krijojë një identitet të qartë. Ndoshta nuk ka thellësinë e skuadrave të mëdha, por ka entuziazëm, intensitet dhe një motivim të veçantë.

Për shumë nga këta lojtarë, pjesëmarrja në Kupën e Botës do të ishte shumë më tepër sesa një turne, do të ishte përmbushja e një identiteti sportiv dhe kombëtar që ende po ndërtohet.

Ëndrra është reale. Jo e lehtë, por reale.

Kosova beson dhe mbështetet jo vetëm te tifozët në Prishtinë, por edhe te bijtë e saj të shpërndarë në gjithë Evropën.


FFK me dhuratë të veçantë për tre baballarët e rinj ‘Dardanë’

Federata e Futbollit të Kosovës, ka ndarë një fotografi me tre baballarët më të rinj ‘Dardanë’.

“Elvis Rexhbeçaj, Veldin Hoxha dhe Edon Zhegrova tani kanë një rol të ri… jashtë fushës!”, ka shkruar FFK në postimin në Facebook.

Tutje në postimin e FFK-së thuhet se si dhuratë të veçantë, secili mori fanellën e Kombëtares me emrin e vogëlushit të tij: Lian, Neyla dhe Mars.

“Urime për këtë kapitull të mrekullueshëm të jetës!”.


Një hap larg Botërorit – FFK kërkon mbështetjen e çdo zemre shqiptare

Federata e Futbollit të Kosovës ka dalë me një postim emocionues lidhur me ndeshjen e sotme të Kosovës ndaj Turqisë, përballje kjo që vlen për kualifikimin e kombëtares në Kupën e Botës.

Në Facebook, FFK u ka bërë thirrje shqiptarëve që të bëhen zëri i historisë, duke theksuar se sonte është momenti.

“Ka momente në histori që nuk përsëriten. Momente që nuk vijnë dy herë, që nuk të japin luksin e hezitimit. Sonte është një i tillë. Sot nuk është ditë për të qëndruar ulur në tribunat e stadiumit. Nuk është mbrëmje për ta parë ndeshjen si spektatorë të qetë. Sot është momenti kur secili prej nesh duhet të jetë në këmbë, me zërin në maksimum, me zemrën që rreh për një emër të vetëm: Kosovë”, thuhet në postimin emocional.

FFK pos tjerash thekson se sot jemi vetëm një hap larg Botërorit.

“Një hap që për shumëkënd ka qenë ëndërr e largët për dekada. Një shans që mund të vijë vetëm një herë në jetën tonë. Dhe kur historia të troket në derë, nuk hapet me heshtje, hapet me zhurmë, me pasion, me shpirt. Stadiumi nuk është teatër. Nuk ka skenar të shkruar, nuk ka audiencë pasive. Ka vetëm një rol për të gjithë: të jemi lojtari i dymbëdhjetë. Dardanët në fushë kanë nevojë për atë shtysë që nuk matet me statistika, por ndjehet në çdo sprint, në çdo duel, në çdo goditje”.

Ndër të tjera, Federata thotë se respekti për kundërshtarin është vlerë dhe duhet të mbetet i tillë sidomos gjatë intonimit të himnit, ‘pasi përballemi me një shtet mik’.

“Por sapo topi të nisë të rrokulliset, stadiumi “Fadil Vokrri” duhet të shndërrohet në një arenë ku edhe kundërshtari i sotëm e ndjen peshën e një kombi të tërë. Një vend ku çdo metër i fushës fitohet edhe nga tribuna. Mos e ndal këngën kur topin e kemi ne. Mos e ndal atmosferën kur e kanë ata. Sepse energjia që krijohet nga tribuna është më shumë se atmosferë, është presion, është motivim, është avantazh”.

“Bileta për në Botëror nuk është vetëm një arritje sportive. Është një mundësi për të treguar Kosovën para botës, për të promovuar identitetin, historinë dhe krenarinë tonë në skenën më të madhe të futbollit. Sonte nuk luan vetëm një ekip. Sonte luan një komb i tërë. Beso. Këndo. Brohorit. Sepse sonte, historia mund të shkruhet me zërin tënd. Forca Kosovë!”, mbaron postimi.


Fisnik Asllani me postim emocionues para përballjes ndaj Turqisë

Kombëtarja e Kosovës do të përballet me Turqinë në play-off për Kupën e Botës.

Ylli i Dardanëve, Fisnik Asllani ka bërë një postim emocional para finales së madhe që do të zhvillohet në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë në ora 20:45.

Një fotografi e gjeneruar me Inteligjencë Artificiale shihet legjenda Fadil Vokrri si dhe Fisnik Asllani.

Ylli i skuadrës së Hofenheimit e ka shoqëruar këtë fotografi me mbishkrimin “Gati”.


Sonte luhet për historinë – Kosova drejt ëndrrës botërore

Kombëtarja e Kosovës ndodhet përballë momentit më të madh në historinë e saj futbollistike.

Sonte, Dardanët zbresin në fushë për të zhvilluar 90 minutat më të rëndësishëm të këtij cikli kualifikues për Kampionatin Botëror një përballje që mund të vulosë një kapitull të ri për futbollin kosovar.

Kosova pret Turqinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 20:45. Çdo minutë, çdo aksion dhe çdo detaj pritet të ketë peshë të jashtëzakonshme në këtë përballje që mund të vendosë realizimin e ëndrrës së madhe.

Lojtarët duken më të motivuar se kurrë për ta shkruar historinë, në anën tjetër, përkrahja e tifozëve ka qenë e pandalshme gjatë gjithë këtij rrugëtimi, në shtëpi dhe në ndeshjet si mysafir, duke e shndërruar këtë sfidë në një festë të madhe futbolli dhe një moment krenarie kombëtare.

Sonte, Kosova është vetëm 90 minuta larg ëndrrës së madhe.


Mediat botërore: Kosova mund të shkruaj historinë

Kosova është një nga tetë kombëtaret që kanë arritur në finalet e play-offit evropian për kualifikim në Kupën e Botës.

Kjo gjë ka bërë që mediat më prestigjioze në botë, po shkruajnë për mundësinë që vendi ynë, mund të shkruajë histori.

Mediumi britanik The Guardian ka shkruar se “çdo gjë është e mundur për Kosovën”.

Ndërkohë, për mediumin spanjoll AS, autori Alex Torres titullon: “Ndeshja që Fadil Vokrri duhej ta shihte”. Torres thekson se sukseset e Kosovës nuk do të ishin të mundura pa ish-presidentin e federatës, legjendën Fadil Vokrrin, dhe ndan përvojën e tij personale me të, planet dhe synimet e tij.

“Nesër Kosova përballet me Turqinë, me dijeninë që fitorja i siguron një vend në Kupën e Botës. Do të luajë në stadiumin që mban emrin e Fadil Vokrrit. Është trishtueshme që ai nuk do të jetë aty për ta parë, por kujtimi i tij do të mbetet i gjallë tek spektatorët. Asgjë nuk do të ishte e mundur pa të”, shkruan artikulli i AS.

Revista gjermane Kicker ka raportuar për bonusin që Qeveria e Kosovës ka premtuar në rast të kualifikimit, 1 milion euro për fitore në finale, me mundësinë për më shumë shpërblime.

Mediumi italian, Corriere dello Sport, shkruan se Kosova është një tjetër “përrallë ballkanike”, një përzierje rrënjësh, largimesh, rikthimesh dhe fëmijësh të shpërndarë në gjithë Evropën. Ata janë ndalur te yjet e Kosovës që luajnë në Itali, apo kanë luajtur në të shkuarën.

Ndërkohë, mediumet kryesore turke kanë dërguar ekipet e tyre të gazetarëve në Kosovë, duke ndjekur çdo hap të përfaqësueses turke, por edhe të Kosovës.

Ndeshja pritet të ndiqet me shumë interes, jo vetëm në Turqi, por edhe në shumë vende të tjera të botës.


Kombëtarja e Turqisë pa gjumë, tifozët e Kosovës ndezin fishekzjarre afër hotelit të tyre gjatë tërë natës

Kombëtarja e Turqisë ka kaluar një natë të vështirë pa gjumë në prag të përballjes me Kosovën, ndërsa atmosfera mes tifozëve vendas ka arritur kulmin para ndeshjes së rëndësishme të play-offit për Kupën e Botës.

Entuziazmi i tifozëve dardanë është rritur ndjeshëm me afrimin e sfidës, dhe një pjesë e tyre kanë ndërmarrë veprime për të ushtruar presion psikologjik ndaj kundërshtarit.

Gjatë orëve të natës janë ndezur vazhdimisht fishekzjarre në afërsi të hotelit ku është akomoduar përfaqësuesja e Turqisë, me qëllim që lojtarët kundërshtarë të mos kenë qetësinë e nevojshme për pushim.

Pamje të publikuara në rrjete sociale tregojnë se aktiviteti me mjete piroteknike ka zgjatur për disa orë rresht, veçanërisht afër hotelin ku janë akomoduar ekipi turk, duke krijuar një atmosferë të zjarrtë para ndeshjes.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Tolga ÖZTÜRK (@baknerdetolga)

Ndërkohë, ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Turqisë pritet të zhvillohet sonte (të martën) në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 20:45, në një duel që konsiderohet tejet i rëndësishëm për ecurinë e mëtejshme në garë.


Një hap larg historisë, Kosova sot lufton për ‘ëndrrën amerikane’

Kombëtarja e Kosovës sot do të përballet me atë të Turqisë në finalen e “play-off”-it për kualifikim në Kupën e Botës, një duel që pritet me emocione të mëdha nga tifozët dardanë.

Kosova dhe Turqia janë përballur tre herë në të kaluarën, me bilanc që anon dukshëm në favor të Turqisë:

11.06.2017 – Kosova 1-4 Turqia (Kualifikime për Botëror);

12.11.2016 – Turqia 2-0 Kosova (Kualifikime për Botëror);

21.05.2014 – Kosova 1-6 Turqia (Ndeshje miqësore).

Bilanci historik tregon dominim të Turqisë, si në rezultate ashtu edhe në diferencën e golave.

Në këto tre ndeshje, Kosova ka shënuar vetëm dy gola, ndërsa ka pësuar 12, duke reflektuar diferencën në atë periudhë.

Megjithatë, këto përballje i përkasin një kohe kur Kosova sapo kishte nisur rrugëtimin e saj në arenën ndërkombëtare.

Back to top button