SHBA-të me numër rekord të të infektuarve

SHBA-të me numër rekord të të infektuarve

Numri i infektimeve nga koronavirusi po vazhdon rritjen me një trend të shpejtë. Mbi 803 mijë persona janë infektuar deri më sot. Në këtë aspekt më së shumti po ndikojnë Shtetet e Bashkuara ku numri i infektimeve është shumë i lartë.

Vetëm brenda 24 orëve atje janë raportuar mbi 20 mijë infektime të reja, që është njëherësh edhe një rekord për periudhën prej 24 orëve.

Deri më tash numri i përgjithshëm i personave të infektuar në Shtetet e Bashkuara ka tejkaluar 165 mijë, duke u rënditur në vendin e parë në botë. Numri i të vdekurve atje është rreth 3200, vetëm 100 më pak se në Kinë ku edhe kishte shpërthyer virusi.

Italia ka vazhduar me një rritje të lartë të numrit të të vdekurve, ku brenda periudhës 24 orë nga COVID 19 kanë vdekur mbi 800 persona, duke rritur numrin e jetëve të hunbura në mbi 11.600. Edhe numri i të infektuarve ka tejkaluar shifrën 100 mijë.

Spanja ka regjistruar një rekord prej mbi 900 vdekjeve të reja të lidhura me koronavirusin e ri, njëherësh shifrën më të lartë brenda 24 orëve, prej kur ky shtet është përballur me shpërthim të kësaj pandemie.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i të vdekurve në këtë vend ka tejkaluar  8,100.

Aktualisht, Spanja është vendi i prekur më së keqi nga ky virus në Evropë, pas Italisë.

Numri total i personave të infektuar në këtë shtet tani ka kaluar Kinën duke arritur në rreth 94.500, pas mbi 6.500 personave që janë diagnostiguar sot me covid 19.

Autoritetet shëndetësore të Francës i kanë raportuar 418 vdekje të reja brenda 24 orëve të fundit, duke e çuar në mbi 3 mijë numrin e përgjithshëm të të vdekurve.

Rastet e reja e bënë Francën vendin e katërt në botë që e kalon shifrën prej 3 mijë viktimave të virusit pas Kinës, Italisë dhe Spanjës

Këto shifra vlejnë vetëm për viktimat e shënuara në spitale, por autoritetet thonë se së shpejti do të kenë mundësi të mbledhin të dhëna edhe në shtëpitë për të moshuar, që pritet ta rrisë numrin e rasteve.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka shkuar në rreth  44 mijë e 500 persona me një rritje prej 11 për qind në 24 orët e kaluara.

Një vajzë 12-vjeçare nga Belgjika është kthyer në personin më të ri në Evropë, që ka vdekur pas infektimit me koronavirus.

Autoritetet në Belgjikë kanë thënë se fëmija deri më tani është personi më i ri, në mesin e mbi 700 viktimave që janë regjistruar në këtë shtet. Mbi 12 mijë të infektuar raportohen në Belgjikë.

Nga të dhënat e fundit që kanë dalë nga Mbretëria e Bashkuar numri i personave të vdekur nga koronavirusi ka mbërritur në mbi 1400, teksa të infektuar raportohen mbi 22 mijë.

Numri i personave të vdekur brenda 24 orëve është ulur në Iran, megjithatë numri i personave të vdekur ka mbërritur në 2900, teksa raportohet edhe një numër i madh i të infektuarve, rreth 44.500.

Holanda është vendi i fundit që ka tejkaluar shifrën e 1 mijë të vdekurve nga virusi Covid 19. Rreth 12.500  persona raportohen të infektuar në këtë shtet.

Në Zvicër numri i viktimave ka mbërritur në mbi 370, teksa numër të konsiderueshëm të vdekjeve në Evropë ka edhe Suedia me 180 të vdekur, si dhe Portugalia me 160.

Kina ka vazhduar të raportojë 5 viktima apo më pak për një javë të tërë. Edhe numri i të infektuarve të rinjë vazhdon të jetë i vogël. 3.300 të vdekur raportohen deri më tani, ndërsa nga 81 mijë të infektuar sa është numri i përgjithshëm, mbi 76 mijë janë shëruar, duke nënkuptuar se në Kinë mbesin vetëm 2 mijë raste aktive me koronavirus./21Media