Një foshnje 16 muajshe vdiq në Pediatrinë e Tiranës pasi ishte infektuar nga koronavirusi.

Ministria e Shëndetësisë, teksa bëri publike shifrat mbi vdekjet dhe infektimet nga Covid-19 në 24 orët e fundit, bëri të ditur se foshnja vuante nga një komplikacion i rrallë i njohur si Sindroma Inflamatore Multisistemike.

“Informojmë se, referuar QSUT, një fëmijë 16 muajsh ka ndërruar jetën si pasojë e COVID19. I ndjekur dhe trajtuar në pavionin COVID në Pediatrinë e Tiranës për gjendjen dhe shenjat klinike për S. Kawasaki, gjendja e tij u rëndua brenda 24 orëve dhe më pas është dërguar në terapinë intensive ku, megjithë mjekimin me terapinë e plotë të trajtimit dhe përpjekjet e mëdha të mjekëve të reanimacionit, nuk ka mundur të mbijetojë, si pasojë e një komplikacioni të rrallë (Sindroma Inflamatore Multisistemike) ndër komplikacionet më të rralla që haset në moshën fëminore si pasojë e COVID19”, u bë e ditur në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sëmundja Kawasaki, e njohur edhe si sindroma Kawasaki, është një sëmundje e rrallë në fëmijëri, e cila bën që muret e enëve të gjakut në trup të acarohen.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Shëndetit në Mbretërinë e Bashkuar (NHS), ajo prek kryesisht fëmijët nën moshën 5 vjeç, megjithëse mund të prekë fëmijët e çdo moshe.

Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë që zgjat pesë ditë ose më gjatë, së bashku me një skuqje në qafë, buzë të thata e të plasaritura, gishtërinj dhe sy të kuq.

Nëse trajtohen, simptomat zakonisht bëhen më pak të rënda, informoi NHS, duke shtuar se sëmundja nuk është ngjitëse.

“Për fat të mirë sëmundjet e ngjashme me Kawasaki janë shumë të rralla, pasi aktualisht janë komplikime serioze tek fëmijët në lidhje me COVID-19, por është e rëndësishme që klinikët të ndërgjegjësohen në mënyrë që të jenë në gjendje t’u japin fëmijëve dhe të rinjve kujdes të shpejtë, “, tha  profesori Simon Kenny, drejtori kombëtar klinik i NHS për fëmijë dhe të rinj në një deklaratë dërguar CNN-it, të hënën.

Mostrajtimi i Kawasaki-t mund të rëndojë gjendjen shëndetësore të fëmijëve duke i rrezikuar edhe ndaj një ataku kardiak.

Çfarë e shkakton sëmundjen Kawasaki?

Ekspertët pranojnë se shkaqet e sëmundjes Kawasaki nuk janë kuptuar plotësisht, por mendojnë se fëmijët që e zhvillojnë mund të jenë të predispozuar gjenetikisht për të, pasi kanë trashëguar gjenet e caktuara nga prindërit.

Sëmundja në vetvete nuk është ngjitëse, sipas NHS, që do të thotë se nuk ka gjasa të shkaktohet vetëm nga një virus.

Çfarë e lidhë me COVID-19?

Lidhja midis sëmundjes Kawasaki dhe COVID-19 është e paqartë, por profesionistët e kujdesit shëndetësor kanë siguruar prindërit se rreziku që fëmijët të sëmuren rëndë nga virusi mbetet i ulët./oranews