Daçiq: Çekia nuk do ta procedojë aplikimin e Kosovës, do të informojë vendet anëtare të BE-së

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se sipas informacioneve që disponon, presidenca çeke e BE-së, nuk do ta procedojë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE, por vetëm do t’i informojë shtetet anëtare se e ka pranuar kërkesën e Kosovës.
Kryeminstri Albin Kurti javën e kaluar ia dorëzoi Republikës Çeke aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, duke e cilësuar këtë si “një ditë historike”. Në një ceremoni në Pragë, Kryeministri Kurti aplikimin ia dorëzoi ministrit çek për Evropën, Mikulas Bek.
“Republika Çeke e ka pranuar aplikacionin dhe sipas njoftimeve, në takimin që duhet të mbahet këtë javë, ata vetëm do të informojnë se e kanë pranuar aplikacionin dhe nuk do ta vendosin më tej në procedurë”, iu tha Daçiq gazetarëve pas takimit me kolegun e tij grek Nikolas Dendias.
Sipas Daçiqit, me këtë do të merret Suedia, e cila merr presidencën e BE-së nga 1 janari 2023.
Ai përsëriti se vendimet e tilla merren me konsensus, i cili aktualisht nuk ekziston sepse pesë anëtarë të BE-së, përfshirë Greqinë, nuk e kanë njohur Kosovën, ndërsa Hungaria, pavarësisht se e ka njohur Kosovën, sipas Daçiq, nuk e voton Kosovën në forumet ndërkombëtare.
Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, Daçiq tha se gjithçka është shtyrë për vitin e ardhshëm dhe se Serbinë e pret ende një luftë e vështirë.
“Irlanda nuk donte ta përfundonte atë punë gjatë mandatit të saj. Tani është radha e Islandës. Duke qenë se Islanda po mban një Samit të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, nuk është në interesin e tyre të nxisin probleme të ndryshme. Është në interesin e tyre që të arrihet një marrëveshje. Prandaj presim që kjo temë ndoshta të mos jetë kaq shpejt në agjendë”, tha Daçiq./21Media

Back to top button