Rita Ora uroi dje 13-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në mënyrën më të bukur.

Këngëtarja ndau në rrjete sociale disa foto nga projekti më i fundit muzikor, “Big”, në të cilin ajo u shfaq e veshur me veshje tradicionale.

Veshjet popullore duket se kanë tërhequr edhe vëmendjen e mediave të huaja. “DailyMail” i ka kushtuar një shkrim urimit të Ritës për Pavarësinë e Kosovës dhe projektit të saj të ri muzikor.

“Këngëtarja që ka lindur në Prishtinë, publikoi në Instagram disa fotografi me veshjet e saj, që i pati veshur edhe në videoklipin e këngës ‘Big’. Veshja e Ritës është e përbërë nga një fustan i gjatë i zi me mëngë dhe me qëndisje prej ari. Ajo gjithashtu kishte veshur një këmishë të bardhë me geta së bashku me një shami koke ekstravagante kuq e zi. Rita kishte veshur edhe çizme blu të errëta me detaje leshi artificial dhe doreza të kuqe të ndezura ndërsa pozonte së bashku me disa gra të tjera me veshje tradicionale”, shkruan “Daily Mail” për veshjen e Ritës.

Më pas në shkrim shpjegohet historia e Kosovës.

“Kosova është vendi i dytë më i ri në botë dhe më i ri në Evropë, duke shpallur pavarësinë e saj nga Serbia në shkurt 2008. 98 nga 193 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe 22 nga 27 shtete të Bashkimit Evropian e njohin Kosovën, ndërsa qeveria e Serbisë jo. Muzikantja lindi në Prishtinë, në ish-Jugosllavi, nga prindër shqiptarë, të cilët u zhvendosën në Londër një vit pasi Rita lindi për shkak të persekutimit të shqiptarëve”, shkruan tutje “Daily Mail”.

Ylli me prejardhje shqiptare kishte folur në një intervistë për “Vogue Arabia” se si ishte që familja e saj të mbërrinte në Londër dhe të fillonte një jetë të re vetëm një vit pasi ajo lindi.

Duke kujtuar ngjarjen, ajo tha: “Ata lanë tërë jetën e tyre dhe u desh të fillonin nga e para kur mbërritën në Londër si refugjatë”.

“Por mbrojtja jonë ishte përparësia e tyre kryesore dhe unë i numëroj bekimet e mia çdo ditë për atë që ata bënë”, ishte shprehur këngëtarja shqiptare.

Duke shpjeguar pse prindërit e saj zgjodhën qytetin, Rita tha: “Ata zgjodhën Londrën sepse babai e donte muzikën dhe kulturën, por edhe më tej, siç mund ta imagjinoni, adoptimi i një jete të re ishte jashtëzakonisht e vështirë”.

Rita vazhdoi të shpjegojë se si ishte jeta duke u rritur në Londër dhe pretendoi se e pa atë të vështirë për shkak të paragjykimit që rrethoi refugjatët./21Media