Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka sot ka thënë se KQZ ende nuk ka pranuar dekretin e presidentit për shpalljen e zgjedhjeve në Podujevë dhe veri të Mitrovicës.

“Dekreti për shpallje të zgjedhjeve qarkullon nëpër media mirëpo ne nuk e kemi në duar, pa dekret zyrtar nuk mundem me diskutu dhe me ju jap informatë tjetër përveç kësaj. Ndërkohë kur ta kemi dekretin do t’ia keni të gjithë dhe do te vazhdojmë pastaj me procesin sipas procedurave për shpallje të zgjedhjeve”, tha Daka në mbledhjen që po mbahet në KQZ.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shpallur 29 nëntor 2020 datën kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunën e Podujevës dhe për kryetar në komunën e Mitrovicës së Veriut.

Kujtojmë që, Hashim Thaçi kishte shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar në komunën e Podujevës dhe në komunën e Mitrovicës së Veriut, me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID-19. Emërimi i Agim Veliut si ministër në Qeverinë Kurti në muajin shkurt të këtij viti, e i Goran Rakiqit zv/kryeministër në Qeverinë Hoti në qershor të po këtij viti, i kishte lënë Podujevën dhe Mitrovicën e Veriut pa kryetar.