Dallavere me patentë shoferë – arrestohen katër persona për ryshfet dhe falsifikim dokumentash

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, bëri të ditur se sot u ndaluan për 48 orë, katër persona të dyshuar, njëri me inicialet I.M nga auto shkolla “A…….” për shkak të dyshimit të arsyeshëm se e ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, dy persona me inicialet A.B dhe Z.B nga auto shkolla “I………….” për shkak të dyshimit të arsyeshëm se e kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” dhe një person me emrin V.L. ekzaminere për patentë shofer në MMPHI për shkak të dyshimit të arsyeshëm se e ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

“Ky arrestim është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me hetuesit policor nga Policia e Kosovës, Sektori për Hetimin e Korrupsionit në DHKEK në Prishtinë ashtu që pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, të pandehurit I.M. i janë gjetur dhe sekuestruar 800 euro ryshfet të përdorura nga fondi i Policisë së Kosovës, ndërsa në zbatim të Urdhër kontrollit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë është realizuar kontrolli në dy auto shkollat e cekura më lartë ku janë siguruar provat e nevojshme materiale, ndërsa të pandehurve I.M dhe V.L, u janë sekuestruar telefonat e tyre mobil.

Brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit, do të dorëzojë në Gjykatë kërkesën për caktimin e ndonjë prej masave për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë penale.

Prokurori i Shtetit, mbetet i përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për parandalimin e këtyre veprave penale si dhe dërgimin para Gjykatës të secilit kryerës të veprave penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë .

Back to top button