Dallojnë çmimet e produkteve në raft dhe në arkë! Mbi 4.000 euro gjobë për tregtarët që manipulojnë

3 min read

“Çmimi i jogurtit frute në raft është 59, kurse në arkë e pagova 81 denarë”. Ky është vetëm një nga denoncimet që i morëm nga një qytetar i cili dje ka blerë produkte në një prej marketeve në qendër të Shkupit, e i cili deshi të mbetet anonim. Ai na tregoi faturën fiskale dhe fotografinë e produktit. Kur ka tentuar t’i fotografojë çmimet, të punësuarit kanë filluar t’i heqin nga raftet. Për këtë rast kontaktuam Inspektoratin e Tregut, por siç duket, shitësit kanë vepruar shpejt dhe i kanë hequr të gjitha çmimet, pasi kur inspektorët shkuan në dyqan, gjithçka ishte në rregull.

“Menjëherë pas denoncimit që morën përmes një thirrjeje telefonike, Inspektorati Shtetëror i Tregut doli në teren, por tregtari, pas reagimit të konsumatorit, tashmë e kishte ndërruar çmimin dhe nuk gjetëm çmim të ndryshëm nga ai në arkë. Ja, do t’u kisha bërë apel konsumatorëve që t’i ndjekin çmimet”, thotë Aneta Simeska-Dimoska, drejtoreshë e Inspektoratit të Tregut në Maqedoninë e Veriut.

Nga Organizata për Mbrojtjen e Konsumatorëve, thonë se shumica e denoncimeve kanë të bëjmë me çmime të ndryshme në rafte dhe në arkë.

“Pasi filloi kriza me rritjen e çmimeve, vazhdimisht ka ankesa nga konsumatorët të cilët po ankohen se ka manipulime dhe praktikë të padrejtë tregtare nga ana e tregtarëve duke vendosur një çmim në raftet që është më i ulët ndërsa në arkë çmimi është më i lartë. Konsumatorët shumë shpesh nuk e vërejnë këtë dhe kur të kthehen në shtëpi dhe kur ta shohin faturën fiskale vërejnë se kanë paguar çmim më të lartë se çmimi që e panë në raftet”, pohoi Martina Gërnçarovska, këshilltare juridike

Si e zgjedhin ata problemin? I këshillojnë që të merren vesh me tregtarët, në të kundërtën të denoncojnë në inspektoratin e tregut. Prej atje konfirmojnë se ka denoncime të këtilla se çmimet në raftet nuk janë të njëjta me çmimet në arkë. Por, çfarë të ndërmerret?

“Nëse konstatohet se tregtari nuk e respekton obligimin ligjor, përkatësisht se çmimi në raftet nuk është i njëjtë me çmimin në arkë, do të ketë masa ndëshkuese. Kjo është në pjesën e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve, për sjellje mashtruese të tregtarit ndërsa gjobat janë shumë të larta dhe lëvizin prej 4000 eurove për person juridik dhe 500 eurove në kundërvlerë denarësh për personin përgjegjës”, theksoi Aneta Simeska-Dimoska, drejtoreshë e Inspektoratit të Tregut.

Dimoska thotë se konsumatorët duhet të bashkëpunojnë me Inspektoratin e tregut dhe të gjitha parregullsitë dhe manipulimet t’i denoncojnë për shkak se inspektorati nuk mund ta kontrollojë çdo produkt në çdo kohë. “Më mirë është që para se të hyni në procedurë për ta denoncuar rastin në një organizatë për mbrojtjen e konsumatorëve, të merreni vesh me tregtarin që i njëjti t’jua kthejë paratë, pastaj të shkoni në inspektoratin e tregut, që në mënyrë parandaluese të mbroheni dhe t’i kontrolloni çmimet e produkteve kur të paguani në arkë, nëse ato përputhen me çmimet që i keni parë në raft”./TV21