Avokati i njohur, Musa Damati, sot ka bërë të ditur se një deputet i Kuvendit të Kosovës është i dënuar me më shumë se një vit burgim për një vepër penale dhe ai deputet, sipas Damatit ishte i pranishëm në parlament duke marrë pjesë në procesin e votimit pro qeverisë së re, e cila është votuar dje.

Damati në facebook është shprehur se, “duke u bazuar dhe mbështetur në sfondin e nenit 70 të Kushtetutës thuhet se mandati i deputetit përfundon ose bëhet i pavlefshëm në rast se ai/ajo dënohet më shumë se një vit me vendim të formës së prerë”.

Sipas avokatit, deputeti nuk do të duhej të ishte në sallë kur ndodhi procesi i votimit. Damati ka shtuar më tutje se mund të ketë edhe bazë në për dekonstituimin e qeverisë Hoti.

“Konform kësaj deputeti i cili vie nga rradhët e një partie minoritare nuk është dashur të ishte në sallë gjatë procesit të votimit, dhe në rast se ndonjëra nga subjektet e autorizuara e dërgon për interpretim këtë në Gjykatën Kushtetuese mund të ketë bazë edhe për dekonstituimin e qeverisë së re!”, ka shkruar Damati në facebook.

Në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës është votuar Qeveria Hoti. Formimi i Qeverisë është votuar me 61 vota për, ndërsa 24 kundër dhe një abstenim. Hoti do të qeverisë me kabinetin e tij të përbërë nga 4 zëvendëskryeministra dhe 16 ministra./21Media