Kombëtarja e Kosovës sot e ka zhvilluar stërvitjen e fundit para ndeshjes me Maqedoninë e Veriut për gjysmëfinalen e “play-off”-it për kualifikim në Kampionatin Evropian.

Dardanët kanë zbritur në fushën e stadiumit “Tose Proeski” në orën 18:00, aty ku nesër synojnë të shkojnë një hap tutje në synimin për të arritur suksesin historik.

Ndonëse organizatori bëri një lëshim jo të vogël, duke vonuar ndezjen e reflektorëve për pjesën më të madhe të stërvitjes, megjithatë Dardanët ndriçuan në fushën e lojës me plotë entuziazëm, vullnet e përkushtim në punë, por edhe me besim se nuk do të lëshojnë nga duart këtë mundësi të madhe për të kaluar në finalen e “play-off”-it.

‘’Afër si zakonisht po qëndrojnë edhe drejtuesit e FFK-së, me presidentin Agim Ademi, i cili vazhdimisht u jep motiv e kurajë futbollistëve për ndeshjen më të rëndësishme deri më tash pas pranimit në UEFA e FIFA’’, ka njoftuar Federata e Futbollit të Kosovës.

Ndeshja Maqedoni e Veriut – Kosovë zhvillohet nesë në orën 20:45. /21Media