22 vjet burg është dënimi që Gjykata e Prizrenit i ka shqiptuar Darko Tasiqit, i akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë.

Tasiq u shpall fajtor në dy pika të aktakuzës.

Sipas pikës një të aktakuzës, Darko Tasiq në mes të datave 15-26 Mars të vitit 1999, në Krushë të Vogël në cilësinë e tij si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë të Republikës Federative të Jugosllavisë apo forcave paraushtarake serbe, në bashkëkryerje me persona tjerë, identiteti i të cilëve nuk është arritur të përcaktohet, mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim të paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë (djegien e shtëpive) që nuk justifikohej me nevojat ushtarake.

Ai akuzohet edhe se mori automjetet dhe makinerinë bujqësore dhe sende të tjera me vlerë që i përkisnin Kasum Hajdarit dhe fshatarëve të tjerë përreth.

Ndërsa sipas pikës dy të aktakuzës Darko Tasiq po ngarkohet edhe me veprime të tjera si pjesëmarrje në përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ato dhe duke i hedhur në Lumin Drin.

Në mbrojtjen e tij para trupit gjykues, Darko Tasiq nuk ishte deklaruar duke e shfrytëzuar të drejtën e tij për tu mbrojtur në heshtje, ndërsa gjatë gjithë gjykimit ka mohuar fajësinë për akuzat e prokurorisë duke u deklaruar i pafajshëm./kallxo.com