​Debat i gjatë në Komision për tenderin me insulina, Qeveria akuzon OSHP-në

Zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi gjatë arsyetimit të vendimit për shkarkimin e Kimete Gashi, anëtare e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP), ka thënë se propozimi për shkarkimin e Gashit ka ndodhur për shkak se OShP-ja me vendimin e saj ka lejuar që të futet bari insulina që nuk ka autorizim për marketing.

Ajo në Komisionin për Buxhet ka thënë se me këtë vendim janë rrezikuar mijëra qytetarë me këtë bari, duke shtuar se tre nga pesë anëtarët e kanë votuar këtë vendim.

Pas një debati gjatë ku pati edhe kritika nga opozita, komisioni vendosi që votimin për Vendimin e Qeverisë për shkarkimin e Kimete Gashi ta shtyjë për javën tjetër.

“OSHP me vendimin e saj ka lejuar qe të futet insulina që nuk ka autorizim për marketing, ajo është e paraparë me ligjin për produktet medicionale. Organi shqyrtues i prokurimit publik gjatë vendimit të tyre nuk e ka pasur parasysh ligjin. Çdo vendim duhet paraprakisht të jetë i bazuar në ligj për prokurimin publik. OSHP me vendimin e saj kundërligjor ka sjellë MSH-në në pozitën ku nuk duhet vetëm të plotësohet kontrata por edhe të sjellë në rrezik mijëra qytetar. Vendimet e tilla të pa përgjegjshme nuk mund të mos marrin një përgjigje të qeverisë që është obligim të kujdeset për shëndetin e qytetareve. Kimeti e ka udhëhequr këtë”, tha Rexhepi.

Ndërsa, anëtarja e OSHP-së, Kimete Gashi tha se për këtë vendim nuk kanë votuar vetëm 3 persona por 5 anëtarë. Ajo tha se OSHP-ja ka përgjegjësi administrative.

“Vendimin e qeverisë nuk jam e thirrur ta komentoj, mirëpo sipas kërkesës dhe detyrës që më është dhënë që është kërkuar informata dhe materiale shtesë rreth këtij aktiviteti të prokurimit me titull “Furnizim me insulina nga lista esenciale”, unë bashkë me kolegët e mijë kemi dorëzuar informata dhe materiale shtesë pranë Kuvendit. Në këto informata shtesë kemi dhënë edhe materialin për të cilin kemi ardhur me këtë vendim. Për këtë vendim kanë marrë pjesë 5 anëtarë dhe jo 3, për të cilin e kam procesverbalin e këtij votimi, i cili vendim është kthyer lënda, aktiviteti pranë MSH-së. Lëndën e dytë kur ka ardhur ankesa tek ne është e vërtetë se kanë qenë tre anëtarë për shkak se Rregullorja e sheh se duhet të jetë tek, mirëpo përsëri aktiviteti i prokurimit është kthyer në rivlerësim dhe është trajtuar në vendimin e dytë si çështje e gjykuar. Anëtarë të cilët kanë marrë pjesë në vendimin e parë për shkak se është dokument konfidencial nuk e kam dorëzuar në mënyrë elektronike. Gjithë këtë unimanisht kanë vendosur që ky aktivitet të kthehet në rivlersim. Procesverbalin e vendimit të dytë të cilin përsëri ne e kemi kthyer në rivlerësim, Organi Shqyrtues nuk ka lejuar që të hyjë asnjë branë pa autorizim. Pra, OSHP shqyrton vetëm pjesën administrative nuk përpilon kërkesat”, tha Gashi.

Ndërkaq, Rexhepi theksoi se OSHP-ja nuk ka respektuar Ligjin e prokurimit publik.

“Nuk mundem të pranoj përgjigjen tuaj, çfarë rishqyrtimi dëshironi, a është kjo përgjegjësi e juaj penale dhe ligjore. Nga 5 anëtarë që kanë votuar, pse një ka dhënë dorëheqje, ne kemi informatën se tre kanë votuar. Si keni të drejtë që përsëri ta vendosni në rivlerësim. Sipas meje kjo është përgjegjësi penale, sepse në parim nuk keni respektuar ligjin për prokurim publik”, tha Rexhepi.

Mes tjerash ajo ka thënë po ashtu se nuk eksiton vendimi i Gjykatës së Apelit për vendimin zyrtar, dhe gjithë procesi të pezullohet derisa ta merret vendimi i Gjykatës Supreme.

Ndërkaq, deputetja Duda Balje i ka replikuar ndaj zëvendëskryeministres Rexhepi, duke thënë qeveria nuk është sistem gjyqësor.

“Ne jemi në Kuvend, qeveria nuk është sistemi gjyqësor këtu. Qeveria ka dhënë vendim, qeveria ka informata nuk më intereson, tash ne jemi këtu me vendos”, tha ajo.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit, Armend Muja duke iu përgjigjur deputetes Balje, tha se ka të drejtë edhe qeveria të përfshihet në këtë diskutim dhe të bëjë pyetje.

“Vendimin e ka sjellë qeveria. Dhe diskutimet duhet të bëhen edhe me qeverinë, çdokush duhet të trajtohet mos e nënvlerëso. Kemi të drejtë të bëjmë pyetje”, tha Muja.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, e ka konsideruar të gabuar vendimin e Qeverisë për t’i rekomanduar Kuvendit shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi.

Madje, deputeti Shala thotë Qeveria duhet ta tërheq këtë vendim dhe ta sjellë vendimin për të gjithë anëtarët e Bordit të OSHP-së.

“Konsideroj që ne nuk duhet të ngutemi dhe të bëjmë gabime. Nëse ka ardhur një vendim i Qeverisë, qeveria e ka të drejtën e vet, mendimin por është edhe pavarësia e parlamentareve me e dëgjua palën. Nuk ka vendim individual, nuk është as etike që ne tani ta drejtojmë gishtin tek një person që realisht ka paqartësi dhe për një vendim që ka qenë kolektiv. Të tërit kanë shkelë ligjin, konsideroj se qeveria duhet ta tërheq këtë vendim dhe ta bjen vendimin për të gjithë, e jo kështu të selektuar, dikë më mik e dikë më armik, sepse nuk është as e ligjshme e as e moralshme”, theksoi deputeti Shala.

Pas këtij diskutimi deputeti Shala ka lëshuar mbledhjen.

Ndërkaq, deputeti Mërgim Lushtaku nga PDK-ja me këtë rast ka akuzuar Qeverinë që nuk po merret me shëndetin publik.

Madje, ai tha se Qeveria është duke mbrojtur krimin.

“Unë e kam parë me një sy tjetër çështjen e vendimit. Pse një lëndë sikurse është kjo e insulinës i mohohet qytetarëve të furnizohen me një produkt kaq esencial. Po shihet që qeveria është duke mbrojtur kriminin, lojtarët e vet në Ministrinë e Shëndetësisë. Ne e dimë që nuk kemi të drejtë të shkarkoni asnjë anëtar të bordit veçse ka shkelje të dëshmuara me fakte dhe në këtë rast nuk keni dëshmuar asnjë fakt, ne si komision kemi një rregull që të zbatojmë ligjin. Në ketë drejtim po shohim qartë që Kimete Gashi ka shkelur ligjin dhe atë e ka bërë në mënyrë personale dhe jo kolektive. Pastaj, ana tjetër është që kemi raste të kërkesës për rivlerësim, pse nuk keni besuar ju organit shqyrtues të prokurimit, a keni pas presion nga qeveria qe keni marrë përgjegjësinë për t’u emëruar. Ne gjithë jemi këtu për shëndetin publik por vetëm MSH, konkretisht Vitia nuk është për shëndetin Publik. Albin Kurti nuk është për shëndetin publik”, tha Lushtaku.

Deputeti nga AAK, Pal Lekaj ka thënë se propozimi i qeverisë për shkarkimin e Kimete Gashi, është vendim puro politik dhe krijon hapësirë të korrupsionit në Ministri të Shëndetësisë.

“A i keni ndjek të gjitha procedurat sesi procedohet një lënde dhe vendimi a ka qenë unanim i komisionit përkatës dhe a janë dy vendime të Gjykatës edhe themelore dhe të Aplelit dhe nëse janë këto atëherë qeveria ka marrë vendim të ngutshëm pa i konsultuar fare ndoshta vendimet e gjykatës por vetëm të lejoj korrupsionin puro me Ministrinë e Shëndetësisë. Mendoj se te shkarkohet vetëm një anëtar kur ka pas nënshkrime të të gjithëve, mendoj se ky vendim është marrë politikisht dhe mos hezitoni ta mbroni veten, sepse e drejta është në anën tuaj”, theksoi ai.

Javën që shkoi, Qeveria në mbledhjen e saj ka propozuar shkarkimin e Gashit, lidhur me tenderin për insulina siç thuhet pa autorizim-marketingu.

Back to top button