Në Kuvendin e Kosovës sot u nxeh debati pasi deputeti i Vetëvendosjes, Fitim Uka tha se Qeveria Hoti ka dështuar për menaxhimin e situatës së pandemisë COVID-19.

E kjo fjali e  nervozoi ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili ndërhyri duke i thënë deputetit Ukës “mos rrej, po rren”.

I menjëhershëm ishte reagimi i nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, e cila i kërkoi Zemajt që të mos e quaj “rrencë” deputetin.

Ndërsa, Zemajn tentoi që ta “qetësojnë” edhe zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, por edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili iu ofruar te ulësja.

Deputeti Uka në foltoren e Kuvendit tha se Qeveria Hoti ka dështuar me menaxhimin e situatës së pandemisë COVID-19.

“Ne e dimë që për atë që nuk e keni bërë për 20 vjet nuk mund ta bëni për 100 ditë por është mirë që sot të iu bëjmë të kuptoni iluzionin ë e keni krijuar për veti. Le ta nisim me dështimin më të madh që ju po e quani triumf e që e ka emrin menaxhimi i pandemisë. Sepse sinqerisht është e turpshme, jo vetëm e papërgjegjshme që dikush të jetë krenar me menaxhimin e pandemisë që i ka kushtuar Kosovës me 640 jetë të qytetarëve, jo vetëm e papërgjegjshme por edhe e turpshme se kjo Qeveri është në gjendje të dalë e të thotë se kemi korr sukses në menaxhimin e pandemisë vetëm sepse është ulur përkohësisht numri i të infektuarve dhe vazhdojnë prapë të jemi në krye të çdo liste për nga numri i te infektuarve dhe të vdekurve nga COVID. Çfarë shembulli është ky”, tha Uka.

“Ministër të lutem kujdes fjalorin që po e përdor. Nuk ke asnjë të drejtë me ofendu deputetin, nuk mundesh me i thënë as rënç përderisa po flet me fakte , dëgjo dhe ruaje qetësinë”, ndërhyri Nagavci.