Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, ka thënë se janë informuar përmes mediave që sot kanë ndodhur disa arrestime jashtë Telekomit.

Balaj tha se bëhet fjalë për dy zyrtarët e lartë të Telekomit, të cilët ka mbi një vit, apo një vit e gjysmë që nuk kanë marrëdhënie pune me Telekomin e Kosovës.

“Jemi informuar përmes mediave që sot kanë ndodhur disa arrestime jashtë Telekomit, nuk kanë ndodh brenda Telekomit. Prej medieve kam kuptuar që është fjala për dy zyrtarët e lartë të Telekomit, të cilët ka mbi një vit, apo një vit e gjysmë që nuk kanë marrëdhënie pune me Telekomin e Kosovës. Për dy të tjerët nuk kam informacione”, ka thënë Balaj.

Balaj ka thënë se si Sindikatë e përkrahin fuqishëm një aksion të tillë.

“Ne si sindikatë përkrahim fuqishëm një aksion të tillë, ka qenë momenti i fundit që Prokuroria e Shtetit të mos ndalet duke i hetuar njerëzit që i kanë shkaktuar dëme Telekomit të Kosovës”, ka thënë Balaj.

Policia e Kosovës me urdhëresë të Gjykatës kompetente sot ka realizuar një operacion policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar ish-zyrtarë të Telekomit të Kosovës, mbi dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani./21Media