Kosova humbi në ndeshjen ndaj Sllovenisë

Kosova humbi në ndeshjen ndaj Sllovenisë

Kosova ka pësuar humbjen e dytë brenda pak ditësh. Kësaj radhe Kosova pësoi nga Sllovenia me rezultat 0:3 në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” sonte në Prishtinë.

Selektorja e Kombëtares së Kosovës, Afërdita Fazlija u shpreh se ishte një ndeshje shumë e vështirë për Kosovën, duke ditur edhe mungesat e mëdha që kishte në repartin e sulmit.

“Në këtë lojë si kombëtare kemi hyrë si të hendikepuar, për shkak se na kanë munguar dy sulmueset. Do të thotë jemi munduar që të bëjmë një kombinim me dy mesfushore. Ndoshta edhe e keni përcjell lojën, sepse filluam me sistem 4-1-4-1, për shkak të mungesës edhe të sulmuesve. U munduam maksimalisht, duke pasur parasysh se në ndeshjet e kaluara kemi marrë themi shumë gola edhe pse për një kombëtare të re, mendoj se që nuk është numër i madh, megjithatë prapë janë bukur shumë gola. Jemi munduar që të fokusohemi ma tepër në mbrojtje, ndoshta në fillim e kemi respektuar pak më tepër kundërshtarin”, tha ajo.

Ndërsa trajneri i Sllovenisë, Jarc Borut e cilësoi këtë ndeshje si shumë të vështirë për kombëtaren e tij, duke theksuar se Kosova kishte një mbrojtje shumë të organizuar.

“Ka qenë një ndeshje e fortë. Kanë pasur një mbrojtje të mirë dhe të organizuar. Kemi arritur të krijojmë disa raste, mirëpo të gjitha nuk i kemi shfrytëzuar. Kemi ardhur me një qëllim të caktuar këtu. Kemi arritur një rezultat të mirë. Jemi të kënaqur shumë me rezultatin dhe shpresoj që të vazhdojmë në këtë mënyrë”, u shpreh ai.

Me këtë humbje Kosova mbetet në pozitën e katërt me 6 pikë, ndërsa Sllovenia e treta me 9 pikë të grumbulluara. Kosova ndeshjen e radhës do ta luajë ndaj Holandës në muajin prill, po ashtu në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.