Del rezultati i testit të drogës të kryeministres finlandeze

Nga testi i drogës i kryeministres së Finlandës, Sanna Marin ka rezultuar se nuk është gjetur asnjë lëndë narkotike.

Këtë e ka bërë të ditur Zyra për shtyp e kryeministres.

“Testi i drogës i marrë nga kryeministrja Sanna Marin më 19 gusht 2022 nuk ka gjetur asnjë drogë. Për mediat, informacion më të detajuar në lidhje me testin, depisimet e kryera në të dhe mënyrën e kryerjes së testit mund të merren nga Kryeministria. Kryeministrja i paguan vetë shpenzimet e testit. Deklarata e testit të drogës u nënshkrua nga mjeku i shëndetit në punë Paavo Halonen nga Terveystalo”, thuhet në njoftim.

Marin, njoftoi se ka bërë një test droge, pas publikimit të videos duke kërcyer me miqtë në një festë private.

36 vjeçarja u kritikua këtë javë pasi video tregoi festën e saj ‘të zhurmshme’, dhe disa politikanë thanë se ajo duhet të testohej për narkotikë.

Në një konferencë për media të premten, Marin tha se pret rezultatet e testit javën e ardhshme. Kryeministrja përsëriti mohimet e saj se ajo ka marrë ndonjëherë drogë, përcjell rtv21.tv

“Unë nuk kam bërë asgjë të paligjshme”, u tha ajo gazetarëve në Helsinki.

“Edhe në vitet e adoleshencës nuk kam përdorur asnjë lloj droge”, tha tutje Marin, duke shtuar se ajo mori testin e drogës si një masë shtesë për të zbutur çdo shqetësim./21Media

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button