Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar ashpër vizitën e eurodeputetes në Gjykatën Speciale një ditë pas intervistimit të Presidentit Hashim Thaçi, duke e cilësuar këtë vizitë si ndërhyrje politike në drejtësi.

Ajo tha në seancën e Kuvendit se eurodeputetja që është raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian duhet të kërkojë drejtësi për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë ku janë vrarë 14 mijë civilë shqiptarë, janë dhunuar mbi 20 mijë gra e janë kryer masakra të shumta.

“Më habit fakti se si institucionet e Republikës së Kosovës, por edhe ato të Bashkimit Evropian, e kaluan në heshtje këtë veprim të pajustifikueshëm dhe paprecedent të saj, duke qenë të vetëdijshëm për trysninë e ushtruar ndaj çdo veprimi shumë më minor të ndonjë politikani kosovar në raport me Gjykatën në Hagë apo çfarëdo procesi gjyqësor. Fakti se von Cramon është një deputete evropiane nuk e zhvesh nga detyrimi për t’i qëndruar larg proceseve gjyqësore’, tha ajo.

Po ashtu Deliu Kodra tha se eurodeputetja duhet të angazhohet për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës pasi atë punë e ka në mandat e jo ndërhyrjet në drejtësi.

“Bashkimi Evropian duhet ta kuptojë dhe respektojë këtë shqetësim tonin mbi tejkalimin e rolit nga ana e raportueses së tij për Kosovën dhe t’i përgjigjet nevojës sonë për sigurim të raportimeve korrekt dhe pa konotacione partiake mbi zhvillimet në Kosovë. Por, edhe ne si përfaqësues të popullit të Kosovës nuk duhet të qëndrojmë indiferent dhe të kërkojmë që Kosova të prezantohet drejtësisht dhe denjësisht në institucionet e Bashkimit Evropian dhe jo të shfrytëzohet si vegël për kalkulime e manipulime të caktuara politike, nga brenda apo jashtë”, tha ajo.