Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema vlerëson të gabuar dhe të dëmshëm për studentët vendimin e institucioneve shtetërore për shndërrimin e Qendrës Studentore si karantinë.

Në një intervistë, rektori Demaj ka thënë se pas vendimit tëQeverisë që objektet dhe konviktet e Qendrës së Studentëve të shndërrohen në karantinë, gjërat e studentëve përfshirë edhe literatura shkollore kanë mbetur aty të bllokuara.

Dhe kjo sipas tij i ka dëmtuar dukshëm studentët, të cilët kanë mbetur pa literaturë duke ua vështirësuar përgatitjen për provimet e afatit të qershorit

“Kjo nuk është menaxhuar në mënyrën më të mirë sepse është dashur nga Qendra e Studentëve, në bashkëpunim me organet tjera të ishte bërë një strategji, që të mendohet edhe tjetra çka nëse zgjatë pandemia. Unë kam kërkuar nga drejtori i Qendrës së Studentëve, të gjejnë një formë që studentët t’i marrin ato materiale, sepse jemi në prag të afatit të qershorit dhe studentët fatkeqësisht janë pa literaturë… Edhe në këtë moment apelojë jo vetëm te QS por edhe te Qeveria që ta gjejnë një formë që studentët të kenë mundësi të marrin gjërat e tyre, e në veçanti literaturën”, deklaroi ai.

Dema thotë se zënia e konvikteve është bërë pa u konsultuar me UP-në, derisa theksoi se kjo situatë do t’i kushtojë shumë suksesit të studentëve.

“Konviktet janë për studentët, ata janë në vazhdim të studimeve ndoshta është dashur të kërkohet alternativ tjetër e jo kjo, por si do që të jetë ne nuk jemi konsultua. Vërtet nuk është menaxhuar mirë dhe kjo do të na kushton edhe në suksesin e studentëve, gjë që për ne do të jetë një hendikep”, thotë ai.

I pari i Universitetit të Prishtinës thotë se janë të gatshëm të organizojnë afatin e qershorit qoftë online apo në mënyrë fizike.

“Jemi të gatshëm që afatin e qershorit ta organizojmë qoftë online apo në mënyrë fizike edhe pse nuk kemi ndonjë përvojë dhe kemi disa fakultete që kanë numër të madh të studentëve, është më vështirë të organizohet online, po edhe studentët kanë kërkuar që në mënyrë fizike të organizohen provimet, mirëpo ne jemi të gatshëm për të dy opsionet”, thotë Dema.

Dema thotë se janë të përgatitur për mbajtjen e provimeve edhe në fakultete duke respektuar distancën.

“Jemi të përgatitur që në këto hapësira që i kemi edhe pse në disa fakultete kemi mungesë të hapësirave t’i kombinojmë të gjitha hapësirat dhe mbi bazën e kufizimeve që do të jenë, do të organizojmë, pra nënkuptohet që do të punojmë në grupe më të vogla”, thotë ai.