Varri i tij në Paris është vend pelegrinazhi për admiruesit, muzikantët, poetët, njerëzit e ardhur nga e gjithë bota. Prej vitesh, gjithkush që e njeh mirë historinë e muzikës së rock-ut dhe shkon në Paris, ndalon në banesën e përjetshme të, në kujtim të artistit brilant, por po aq edhe vetëshkatërrues.

Në një varr të vogël në varrezën e Pere Lachaise, prehet lideri i “The Doors”, një nga grupet më të njohura amerikane të viteve ’60 të shekullit të kaluar. Ai u gjet i vdekur më 3 korrik të vitit 1971 në apartamentin e tij në Paris, ku ishte vendosur për të pushuar dhe ku kishte shkuar katër muaj më parë me të dashurën e tij, Pamela Courson. Disa media njoftonin se, në këtë përvjetor të vdekjes, të Jim Morrison, banesa e tij e përjetshme është vizituar nga shumë  njerëz.

Shumëkush e ka quajtur “njeri me zemër të madhe”, “njeri me një tru brilant që me jetën e tij arriti të ndryshonte mentalitetin e njerëzve” apo edhe “poeti i lirisë”.

Shumë lule, vizatime, foto, qirinj, mesazhe dhe partitura kanë mbuluar vendin ku prehet idhulli i rockut, i dashuruari i blues-it, i lindur në  Melbourn-Florida më 8 dhjetor 1943, (37 vjet më vonë në të njëjtën datë do të vritej John Lennon).

“James Douglas Morrison (1943-1971)”, shkruhet në pllakën metalike të varrit shoqëruar me një thënie klasike greke, “Ishte një demon”.

Në vitin 1990, u vodh nga varri busti i Morrison-it, ndoshta nga ndonjë admirues, bust i cili nuk u gjet më kurrë. Shkrime të të gjitha llojeve, mbulojnë banesën e tij të përjetshme. Bile më parë në hyrje të varrezës, disa shigjeta tregonin edhe rrugën që të çonte drejt “Morrison”-it . Edhe varret e të famshmëve, Oscar Wilde (i mbuluar nga tekste dhe të puthura), Maria Callas, Edith Piaf, Sarah Bernhardt, deri te Chopin, Moliere e La Fontaine, që gjenden në këtë varrezë, duket se nuk kanë zgjuar kaq shumë pasione se sa Morrison.

Por nuk kanë munguar asnjëherë edhe kundërshtarë të jetës së Morrison-it, të cilët e përcaktojnë atë si një njeri që ka sjellë më shumë fatkeqësi se sa kënaqësi. Pika më kulminante në varrin e Morrison cilësohet viti 1991, kur në 20-vjetorin e vdekjes së tij, policia u detyrua të përdorë gaz-lotësjellës për të larguar admiruesit e zhurmshëm që i ‘kishin pushtuar’ varrin.

E vërteta është se Parisi më tepër e mbajti Morrison, për detyrim – sipas burimeve anonime , familja nuk donte të merrte trupin e tij e turpëruar nga jeta e tij “seks, drogë dhe rock and roll”. Ndonëse shumë e besojnë vdekjen e tij për shkak të mbidozës së drogës- mjekët u shprehën zyrtarisht se shkak për vdekjen e tij kishte qenë një atak kardiak.

Por pavarësisht trajektores së karrierës së liderit të grupit “The Doors,” (u ndalua dhe u gjykua kur doli i xhveshur në një koncert në Majami), Morrison si poet la gjurmë në historinë e rock-ut me tekstet e tij enigmatike mbi anën e errët e jetës. Është fakt që, Ai, u konsiderua më shumë se këngëtar, poet dhe gjatë jetës së tij publikoi librat, “The lords”, “The New Creatures” dhe “An American Prayer”. Pas vdekjes, prindërit e së dashurës së tij, Pamela Courson, e cila gëzon të drejtat e veprës së tij, botuan dy libra me poezi mbi disa fletore me shënime të Morrison.

Në 1979, Jerry Hopkins dhe Daniel Sugerman publikuan një biografi jo zyrtare të Morrison që arriti rekord në shitje.

Ndërsa në 1991, regjisori Oliver Stone realizoi një film mbi jetën e Morrison, film i cili u kritikua për mungesë objektiviteti. Në vitin 1997, anëtarët e “The Doors” hodhën në shitje katër disqe ku kishte edhe këngë të panjohura të grupit , këngë të njohura dhe incizime nga koncerte live. “Unë nuk këndoj, unë bërtas”, thoshte gjithnjë Morrison, i njohur edhe si aktor gjenial, i cili në jetën e tij kishte deklaruar se kishte patur idhuj, legjendat, Elvis Presly, Frank Sinatra, Bob Dylan, The Kinks etj.

Një fletore me shënime që Morrison i kishte hedhur gjatë qëndrimit të tij në Paris, si dhe disa fotografi të fundit të muzikantit aktualisht ndodhen në Londër. Çmimi i fletores e cila hedh dritë mbi gjendjen e tij mendore dhe shpirtërore  përpara vdekjes tragjike ka arritur deri më tani në 150.000 euro. Gjithsesi, sfida e Jim Morrison, është se këngët e grupit amerikan, “The Doors”, si “L.A. Woman”, “Riders on the storm”, “The end”, “Roadhouse blues”, “Light my fire”, “Hello i love you” o “Break on through (to the other side)” nuk kanë për të munguar kurrë në asnjë antologji të epokës së muzikës…!