Haradinaj përkujton demonstratën e 11 marsit të vitit '81

Haradinaj përkujton demonstratën e 11 marsit të vitit ’81

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përkujtuar demonstratën e 11 marsit të vitit ’81. Haradinaj ka deklaruar se kjo demonstratë shënon një epokë vendimtare në historinë më të re të Kosovës.

“Demonstrata e 11 marsit ‘81 shënon një epokë vendimtare në historinë më të re të Kosovës. Mijëra studentë zgjodhën rrugën e paqes për ta kundërshtuar shtypjen dhe pabarazinë. Në përvjetorin e demonstratave studentore, kujtojmë të gjithë ata që guxuan të kërkonin atë që iu takonte, të drejtën e tyre, dhe që i dolën zot këtij vendi, në rrugën drejt çlirimit.”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Protesta spontane e studentëve të Kosovës, të cilat u mbajtën në Prishtinë më 4 mars 1981 për kushte më të mira në mensën e studentëve, e cila ishte shtypur me dhunë nga policia, shkaktoi demonstratën e organizuar të studentëve më 11 mars, e cila po ashtu u shtyp me dhunë dhe u paraburgosën disa studentë.

Më këtë fillon edhe zinxhiri i demonstratave të ’81-ës. Si pasojë rrjedhin tubimet e njohura si “Demonstratat e Punëtorëve”, në të cilat punëtorët kërkonin lirimin e studentëve të burgosur. Përsëri, organet shtetërore intervenojnë me tërë brutalitetin e tyre. Gjatë këtyre tubimeve, Armata Jugosllave paraqet prezencën e saj./21Media