Dëmtohet një shtëpi në Kodrën e Minatorëve, Krasniqi: Ky sulm është nxitje nga Vuçiqi
Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka njoftuar se rreth orës 00:30 gjatë mesnatës një patrollë policore ka identifikuar tym në një nga shtëpitë e ndërtuara nga Qeveria në Kodrën e Minatorëve.
Sipas tij zjarri është fikur dhe dëmet janë sanuar.
“Fatmirësisht, nuk ka asnjë person të lënduar veç dameve materiale. Kjo nuk është hera e parë që ka sulme të tilla, mirëpo kjo nuk është as hera e fundit që do të ndërtohen shtëpi të reja”, tha Krasniqi.
Qeveria e Republikës së Kosovës sipas tij e dënon fuqishëm këtë akt dhe sipas tij as ky e asnjë sulm tjetër nuk e ndal kthimin e banorëve në pronat e tyre.
“Kërcënimet, shantazhet, pamfletat terroriste, nuk i friksojnë qytetarët dhe as nuk e ndalojnë punën tonë për sigurimin e banimit të qendrueshëm. Ky sulm është nxitje e mosdurushmërisë etnike e cila nxitet nga Vuçiçi i cili ka mbetur i mbyllur në propagandën e tij dhe e ka humbur kontrollin e strukturave paralele në pjesën veriore”, ka shkruar ai.