Dënohen me nga dy vite burgim tre të akuzuarit për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla
Gjykata Themelore në Prishtinë të enjten ka dënuar me nga dy vjet burgim secilin nga tre të akuzuarit për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla.
Aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani.
Gjykatësja Namani tha se tre të akuzuarit Lum Dërvishi, Kenan Hasani dhe Okan Hasani dënohen me nga dy vite burgim (secili veç e veç), pasi janë fajtorë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Të njëjtëve, në dënimin me burgim do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak prej 14 prill deri më 7 dhjetor 2023.