Depp me rol në filmin hapës të festivalit në Cannes të Francës

Festivali prestigjioz i filmit në Kanë të Francës që do të hapet muajin e ardhshëm, po i jep përkrahje aktorit Johnny Depp me kthimin e tij në industrinë e filmit me rol në film të ri. Ky film që u pagëzua “Jeanne du Barry”, do të hapë këtë festival.

Siç kanë bërë të ditur organizatorët e festivalit, aktori Depp në këtë dramë e cila është me temë historike luan rolin e Mbretit Louis XV. Po këtë ditë ai do të shfaqet edhe në kinema në Francë.

Filmi “Jeanne du Barry” është me regji të Maiwenn Le Besco. Ajo po ashtu paraqitet me rolin kryesor në të, të zonjës mbretërore, këtë para se të përfundojë sundimi mbretëror nga Revolucioni Francez.

Ky film do të shfaqet edhe në Netflix, por se në këtë shërbim në Francë nuk do të mund të shfaqet për 15 muaj pas lansimit të tij në Kanë.

Nuk është bërë e qartë se kur do të lansohet globalisht.

“Jeanne du Barry” është filmi i tretë të cilit Maiwenn ia bëri regjinë, e që do të shfaqet në Kanë.

Filmi i saj Polisse në vitin 2011 fitoi çmimin e Jurisë në këtë festival. Katër vite më vonë, ajo u paraqit atje me filmin My King, falë të cilit aktorja Emanuelle Bercot fitoi çmimin si aktorja më e mirë.

Sa i përket aktorit Depp, ky është roli i parë që prej paraqitje në filmin Minamata, në vitin 2020. Ai pjesën më të madhe të viteve 2021 e 2022 e kaloi në gjyq duke luftuar kundër ish gruas së tij Amber Heard, për dy shpifje kundër tij. Dep po mundohet të rindërtojë karrierën e tij pasi që fitoi betejën gjyqësore me Hard.

Edicioni i 76-të i festivalit të filmit në Kanë të Francës do të mbahet nga data 16 deri më 27 maj 2023./21Media

Back to top button