Deputetët e AAK-së vizituan Spitalin Rajonal të Gjakovës

Deputetët e AAK-së vizituan Spitalin Rajonal të Gjakovës

Deputetët e AAK-së, Pal Lekaj dhe Teuta Haxhiu vizituan sonte Spitalin Rajonal të Gjakovës, QKMF-në në Gjakovë dhe pastaj vizituan edhe QKMF-në në Rahovec bashkë me të parin e komunës, Smajl Latifi.

Pas vizitës, Lekaj përmes një shkrimi në Facebook iu adresua Qeverisë që të jetë urgjentisht afër tyre me pajisje mbrojtëse. Mes rreshtash, deputeti Lekaj u shpreh se mungesa e pajisjeve elementare në Spitalin Rajonal të Gjakovës nuk ka arsyetim.

“Kolegë të dashur, kur Kosova ka nevojë për Ju, Ju gjithmonë jeni në krye të detyrës. Projektligji për buxhetin e vitit 2020 fatkeqësisht nuk mendoi për ju. Prandaj e ftoj Qeverinë që urgjentisht të jetë më afër juve me pajisje mbrojtëse, sepse ju jeni vija e parë në front. Mungesa e pajisjeve elementare nuk ka arsyetim.”, shkroi Lekaj në Facebook.

Në fund u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat./21Media