Deputetët kërkojnë që çështja e shamisë në shkolla të rregullohet me ligj

 

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, që të ndryshojë udhëzimin administrativ të vitit 2010 për shkak të mossaktësimit për bartjen e shamisë në shkolla.

Mungesa e specifikimit me ligj për bartjen e shamive në shkolla sipas deputetëve të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione po lë  jashtë bankave shkollore shumë vajza në komuna të ndryshme të Kosovës.

Lidhur me këtë, ministrja Nagavci tha se baza kushtetuese për temën në fjalë është mjaft e qartë dhe se është mirë e definuar, teksa shtoi se të gjitha keqinterpretimet ligjore duhet të diskutohen së bashku. Ajo deklaroi para deputetëve se do të angazhohen që e drejta për shkollim të mos i mohohet asnjë fëmije e si rrjedhojë edhe asnjë vajze.

Nagavci tha se nuk kanë informacione që ndonjë fëmije i është ndaluar vijimi i mësimit për shkak të shamisë.

”Si ministri sigurisht që prioritet e kemi garantimin e të drejtës së secilit fëmijë për shkollim. Natyrisht, nuk shoh ndonjë problematikë, ose nuk kemi së paku nuk kemi të referuara nga shkollat lidhur me çështjen që ju adresoni”, tha ajo.

Kjo deklaratë e ministres bëri që deputetët të përmendin disa raste kur vajzave në shkolla fillore iu është ndaluar e drejta për të vijuar mësimin për shkak të shamisë.

Kryetarja e komisionit, Duda Balje tha se mungesa e një ligji për ndalesën ose lejimin e një vajzë me mbulesë në shkollë ka bërë që kjo çështje të jetë kompetencë e drejtorëve të shkollave. Sipas saj, kjo duhet të specifikohet me ligj, gjegjësisht me udhëzim administrativ.

Ajo tha se ka emrat, mbiemrat dhe komunat ku drejtorët nuk kanë lejuar vajzat të vijojnë mësimin për shkak të shamisë.

”Në ligj kemi një term, është ‘’uniformë’’, dhe kemi folur disa herë a është shamia pjesë e uniformës. Ne duam me i specifiku këto me ligj, asnjë vajzë mos me u privu nga kjo, mos me pas problemin e njëjtë”, tha ajo.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi tha se as Kushtetuta dhe as udhëzimi administrativ i votot 2014 nuk e fusin shaminë si pjesë e të uniformës fetare, prandaj siç tha ajo, në rastet e largimit të vajzave me shami nga shkolla janë shkelur të drejtat e njeriut.

Ajo u interesua të marrë një përgjigje përfundimtare nga ministrja Nagavci lidhur me atë se a mbështet vijimin e mësimit të vajzave me shamia në shkollë dhe se a do të marrë ndonjë veprim drejtorëve që kanë privuar vajzat nga e drejta për shkollim.

”Unë personalisht kam disa raste që më kanë shkruar disa vajza, të cilat në klasën e 5-të dhe të 6-të janë ndaluar që të jenë pjesë e kurrikulës mësimore. Sa raste i keni evidentuar ju si ministri, që ju ndalohet bartja e shamisë dhe në cilat nivele, dhe pyetja e dytë, që e kam pranuar nga shumë votues është se a do të lejoni lëndën fetare në shkollat publike”, tha ajo.

Nga ana tjetër Nagavci rekomandoi deputetët që lidhur me këto problematika të parashtruara sot për shaminë në shkolla, të kontaktojnë me nivelet komunale dhe të bashkëpunojnë me departamentet përkatëse.

E pyetur nga deputetët lidhur me përkrahjen ose jo të shamive në shkolla, ministrja e Arsimit tha se nuk është një çështje, ku mund të jap përgjigje, teksa shtoi duhet të diskutohen të gjitha keqinterpretimet ligjore.

Ndërsa, deputeti nga radhët e VV-së, Eman Rrahmani tha se e gjithë kjo problematikë vjen nga udhëzimi administrativ i vitit 2010, në kohën e ministrit Ramë Buja. Ai kërkoi që të ndryshohet udhëzimi administrativ pasi sipas tij, kjo çështje nuk ka të bëjë me çështje fetare, por me çështjen e të drejtave të njeriut.

Gjithashtu, edhe deputetja Tinka Kurti tha se çështja e veshjes duhet të jetë vullnet i lirë, teksa shtoi se çështja e shkollimit është e drejtë parësore e secilit.

Back to top button