Mungesa e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Agim Veliu, në interpelancën e thirrur sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, mbështetur edhe nga 5 deputetë të tjerë, në lidhje me shmangien për të raportuar në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ka përplasur deputetët e partive politike.

Deputetja e LVV-së Fatmire Kollçaku, në fjalën e saj ka thënë se Veliu për disa herë me radhë ka injoruar ftesën e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes për të raportuar.

Ajo ka theksuar se ministri ishte ftuar të raportonte për rastin e Karaçevës, shuarjen e task-forcës anti-korrupsion, pajisjen e qytetarëve me letërnjoftim, por që tha se të gjitha këto kanë mbetur pa përgjigje sepse ministri nuk ka shkuar të raportojë.

“Ne jemi ballafaquar me një problem që nga fillimi i këtij mandati dhe nuk kemi arritur as njëherë ta kemi ministrin Veliu në raportim para komisionit. Çdo çështje prej ditës së parë kur e ka marrë mandatin deri më sot ka mbetur, çdo pyetje e jona ka mbetur pa përgjigje. Pas 4, 5 tentativave herën e parë në fund murr mundin dhe erdh në komision dhe na tha se ka mundësi të qëndrojë vetëm 40 minuta”, ka theksuar ajo.

Dhënia e fjalës deputetes Kollçaku nga nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës ndonëse ministri nuk ishte në Kuvend, ka nxitur reagimin e shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi, i cili ka thënë se me këtë veprim ka nisur interpelanca.

“Nuk mundet dikush me fol 12 minuta dhe me thënë nuk ka filluar interpelanca, pra zyrtarishtë interpelanca ka filluar doni me vazhdua vazhdoni”, ka thënë ai.

Atij, i ka reaguar nënkryetarja Arbërie Nagavci, e cila ka thënë se i ka dhënë fjalën deputetës Kollçaku si thirrëse e interpelancës që të deklarohet.

“Në interpelancë ftohen anëtarët e Qeverisë, ministrat apo kryeministri për t’u përgjigjur. Ne sot nuk kemi të pranishëm ministrin për herë të dytë, Kollçaku ia dhashë fjalën siç thash edhe në fillim, meqenëse askush nga qeveria nuk është i pranishëm, meqenëse ministri për herë të dytë nuk po merr pjesë në interpelancë ne nuk mund të marrim në pyetje këtu vetveten dhe kërkova që të deklarohet Kollçaku si thirrëse e interpelancës në emër të komisionit se janë edhe 5 deputetë të tjerë që e kanë nënshkruar. Thash pas kësaj do t’iu jap fjalën me radhë nga një përfaqësuesi të grupit që të deklaroheni për më tutje”, ka thënë ajo.

Shefi i grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi, ka kërkuar të dijë se në bazë të çfarë rregulle bëhet ky veprim.

“Në bazë çfarë rregullore bëhet ky veprim, nuk ka thirrur komisioni interpelancë, janë gjashtë deputetë nënshkrues që kanë thirrur interpelancë dhe nuk munden me fol në emër të komisionit kurrkush këtu e para. E dyta, nuk mundet me iu drejtua dikush për një çështje Kuvendit 12 minuta dhe me thënë jo nuk ka filluar, 12 minuta ka fol. Interpelanca ka filluar, folni nëse doni me fol për këtë çështje a vjen ministri a nuk vjen është punë për të. Nëse nuk vjen ministri ka mekanizma të tjerë. Mundeni me nis mocionin e mosbesimit ndaj ministrit, kjo është demokracia”, ka thënë ai.

Sërish ka vazhduar përplasja mes tyre, ku nënkryetarja e Kuvendit Arbërie Nagavci, Gashit i është përgjigjur duke thënë se Kuvendi është vend për të diskutuar.

“Kuvendi është vend për të diskutuar, e kërkuat fjalën, e respektojmë rregulloren, ju kisha lut me mbajte qetësi, nuk keni nevojë me bërtite”, ka thënë ajo.

Edhe një herë Gashi ka insistuar se interpelanca ka nisur.

“Pra, ju po thoni që z.Kollçaku ka paraqitur në emër të thirrësit të interpelancës ka paraqitur arsyen e thirrjes së interpelancës. Pra, interpelanca ka filluar, kaq”, tha ai.

Deputeti i LVV-së Mefail Bajqinovci, ka parashtruar disa pyetje të cilat tha se do t’ia bënte ministrit të Punëve të Brendshëm dhe Administratës Agim Veliu.

“Agim Veliu jo që i jep tender Ragipit të ‘Beni Donës’ në Komunën e Podujevës po shkon i jep tender edhe për pampersa në Ministri të Punëve të Brendshme. Pyetja tjetër është pse ministër i ke shkarkuar dy drejtorët e prokurimit në Ministri të Punëve të Brendshme, njërin në Ministrinë e Administratës Publike që ka qenë. Pyetja tjetër për ministrin është edhe kjo, ministër pse dha dorëheqje drejtoresha e Prokurimit në Policinë e Kosovës. Ministër pyetja tjetër është kush i ka shti duart në sistemin e brendshëm elektronik në Policinë e Kosovës. Këto ishin pyetjet që donim me ia bë, po pse ai nuk po vjen ai e dinë. Pyetja tjetër është edhe për këtë aksionin e famshëm në Karaçevë që u sekuestruar, ju e dini çka u sekuestru dhe kush u arrestua, krejt do fukara. Ministër a e ke shkarkuar tas-forcën për një arsye, që t’i ka hetuar tenderin e targave në MPB… A e dini bre atë videon e famshme që doli qetash për komunëne Podujevës ai drejtori i juaj i Prokurimit qysh i kallxojke atij tërhiqu prej tenderit, tërhiqu se ta punësojmë çikën, ta punësojmë çikën, për besë po”, ka thënë ai.

Atij i ka reaguar Gashi, i cili ka theksuar se po e shfrytëzon foltoren e Kuvendit për të bërë fushatë për zgjedhjet e Podujevës, derisa ka akuzuar nënkryetaren e Kuvendit Arbërie Nagavci se po e keqpërdor ulën e Kuvendit.

Nënkryetarja duke iu përgjigjur atij tha se abuzim dhe keqpërdorim ishte fjalimi i tij.

“Abuzim dhe keqpërdorim është kjo si ju po flisni këtu. Minutat kanë filluar të numërohen, ju e dini shumë mirë që kjo është një situatë e re e pa krijuar asnjëherë në këtë Kuvend, sepse Kushtetuta dhe rregullorja e përcakton që ministri duhet të jetë në interpelancë. Kjo është situatë e pa krijuar asnjëherë, mos bërtitni. Ju, ministri dhe Qeveria nuk po i përgjigjeni Kuvendit sipas obligimeve tuaja”, ka thënë ajo.

E deputetja e PDK-së Ganimete Musliu, ka vendosur një fotografi të ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Agim Veliu, në ulësen e tij, derisa u ka bërë thirrje qytetarëve që nëse e shohin të njëjtin t’i tregojnë se duhet të shkojë në Kuvend.

Ajo ka pasur kritika edhe për deputetët e LVV-së, që sipas saj e kanë keqpërdorur nënshkrimin e anëtarëve të Komisionit për ta ftuar ministrin në interpelancë.

Deputeti i AAK-së Bekë Berisha, tha se kjo interpelancë u keqpërdor për zgjedhjet në Podujevë

“Më vjen keq që kjo seancë fillojë ose fillojë me u keqpërdorë për zgjedhjet në Podujevë, që ju mund të shkoni në Podujevë atje, e jo prej këtu me na e prish, sepse njëmend kemi pas çka me e pyet për çështje të sigurisë, sepse ka shumë defekte dhe shumë pikëpyetje”, tha ai.

Berisha tha se kjo seancë duhet të ndërpritet dhe pyetjet të bëhen në kohën kur ministri është në seancë.

Nënkryetarja Nagavci, tha se lidhur me këtë interpelancë se a do të vazhdojë edhe në ndonjë seancë tjetër do të vendos kryesia e Kuvendit.