Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e AAK-së, njëherit edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Shemsedin Dreshaj kërkon më urgjencë që ministri Shëndetësisë, Arben Vitia, të raportojë në Kuvend lidhur me refuzimin për nënshkrim të kontratës me Pfizer.

“Si anëtar i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, kërkoj me urgjencë që Ministri, Arben Vitia, të raportojë për raportimet e mediave se ai ka refuzuar të nënshkruajë kontratën me Pfizer.”, shkroi Dreshaj sonte në facebook.

Ai shtoi se sigurimi i vaksinave nuk është lojë, por përgjegjësi shtetërore.

Ndërsa, ministri i shëndetësisë, Arben Vitia sonte i quajti të dëmshme, dashakeqe dhe të pavërteta raportimet në lidhje me atë se ai nuk nënshkruar kontratë me kompaninë Pfizer dhe BioNtech. Ai në një konferencë për media deklaroi se sigurimi i vaksinave për qytetarët nuk është lojë dhe kështu rrezikohet shëndeti i qytetarëve. Ai ftoi prokurorinë e shtetit dhe të veprojë ndaj atyre që siç tha ai, dëmtojnë këtë proces.