Deputeti shqiptar nga Lugina e Preshevës Argjend Bajrami, sot në Parlamentin e Serbisë ka theksuar se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë nën diskriminim sistematik dhe se mungon vullneti politik i këtij shteti për të ndihmuar.

Bajrami, gjithashtu në këtë situatë pandemie ka shprehur nevojën e qytetarëve të Preshevës, Bujanovit dhe Medvegjës për një spital rajonal.

Ai ka folur në lidhje me shëndetësinë në këtë komunë, duke thënë para deputetëve të Kuvendit serb, se problemet nuk kanë filluar të shfaqen me fillimin e pandemisë. “Problemet nuk filluan nga fillimi i pandemisë, por janë probleme shumë dekadëshe, ndërsa sot pandemia globale ka arritur kulmin e krizës humanitare. Dua t’i rikujtoj se qytetarët e Luginës së Preshevës edhe për problemet më të vogla duhet të shkojnë në spitalin më të afërt e që ndodhet afër 50 kilometra nga shtëpitë tona. Ndërsa për emergjenca duhet për rreth një orë për të arritur deri në spital. Këto janë kushte çnjerëzore, e që nuk ekzistojnë as në vendet më të varfra në planet”.