Dita e 13 dhjetorit nuk ishte aspak e mirë për deputetin e LDK-së, Shkëmb Manaj. Dikush i ka hyrë në garazhën e ndërtesës ku banon dhe ia ka shpërthyer me thikë gomat e veturës.

Manaj përmes një shkrimi në llogarinë e tij “Facebook” ka njoftuar se i ka lajmëruar organet kompetente.

“Sot rreth orës 11:00 kam vërejtur se katër gomat e veturës time, brenda garazhës në banesën ku banoj, janë shpërthyer, si rrjedhojë e shuarjes me thikë. Rasti është lajmëruar në polici, e cila ka reaguar me shpejtësi dhe e ka kryer punën e saj me profesionalizëm. Me këtë rast e falënderoj Policinë e Kosovës dhe kërkoj që rasti të trajtohet dhe të zbardhet në tërësi”, ka shkruar Manaj

Manaj ka thënë se nuk ka pasur dhe nuk ka probleme personale me askënd.

“Unë, asnjëherë në jetën time nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë problem personal me askënd. Prandaj, nëse ky veprim i ultë është tentim që unë të ndalem nga puna ime e përfaqësimit të qytetarëve në Kuvend të Republikës dhe nga angazhimi i çdo ditshëm për fuqizimin e shtetit ligjor dhe të së drejtës, e kanë gabim, sepse nuk ka forcë që me ndal nga ky përkushtim”, ka shkruar ai./21Media