Çështja e personave të zhdukur po trajtohet me përkushtim nga institucionet e Kosovës në bashkëpunim edhe me familjarët dhe partnerët ndërkombëtarë.

Kështu deklaroi kryeministri Avdullah Hoti, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Hoti tutje tha se procesi për gjetjen e të gjithë personave të zhdukur do të vazhdojë deri kur të gjendet edhe personi i fundit.

Në interpelancën e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, Hoti tha se askund në tekstin e marrëveshjes së Washingtonit nuk përmendet fjala kushtëzim, për çka tha se është e pabazë.

Kryeministri tha tutje se pika 12 e marrëveshjes e cila i referohet kësaj çështje specifikon qartë se të dyja palët zotohen që t’i përshpejtojnë përpjekjet për të gjetur dhe për të identifikuar mbetjet e personave të zhdukur.

Ai theksoi se familjarët kanë pasur në vazhdimësi kërkesë që çështja e të pagjeturve të ndërkombëtarizohet dhe që bashkësia ndërkombëtare të bëjë presion tek Serbia, për këtë tha se të gjitha veprimet e tyre kanë qenë në funksion të këtyre kërkesave.

Hoti tha se në Kosovë deri në fund të vitit planifikohet të gërmohet në 5 lokacione për gjetjen e trupave.