Deri në orën 13:00 pjesëmarrja e shqiptarëve që kanë dal për të votuar ka shkuar deri në 31. 87%, kështu është bërë e ditur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Deri në këtë orë kanë raportuar 65 qendra votimi, ku kanë votuar 14 mijë e 431 qytetarë nga 45284 zgjedhës në listën e këtyre qendrave.

Ndërsa, deri në orën 12:00 sipas KQZ-së, kanë raportuar 47 qendra votimi nga 5199 gjithsej në të gjithë vendin me një pjesëmarrje prej 27.18%.

Nga të dhënat e 47 Qendrave të Votimit, kanë votuar 8889 qytetarë nga 32 710 zgjedhës në listën e këtyre qendrave.

Në orën 10:00 pjesëmarrja ishte 16.67% sipas të dhënave të raportuara nga 1216 qendra votimi. Ndërsa, në orën 11:00 pjesëmarrja në votime ka qenë 20.81% sipas të dhënave të raportuara nga 2241 qendra votimi nga 5199 në total në të gjithë vendin.

Komisioneri Zgjedhor Shtetëror, Ilirjan Celibashi ka thënë se arsyeja e raportimit të vetëm 65 qendrave të votimit është për shkak se aplikacioni I KQZ-së është sulmuar.

“Numri 65 nga 5199 qendra të votimit që ju shikoni tani është numri i qendrave të votimit që kanë raportuar në këtë moment nuk është numri total i qendrave të votimit ky është një sistem i raportimit mbi pjesëmarrjen të cilën KQZ e ka aplikuar prej shumë edicionesh zgjedhore, numri i qendrave të votimit që lexoni aty është numri qendrave të votimit që kanë votuar në atë momenti dhe pak a shumë pjesëmarrja që KQZ deklaron është një pjesëmarrje e sonduar, pra mbi bazë të tyre atyre qendrave të votimit që raportojnë informacioneve nuk ka mbledhje komulative të të gjitha të qendrave të votimit lidhur me pjesëmarrje, kemi një numër të vogël të qendrave të votimit që kanë raportuar për faktin se aplikacioni i KQZ-së është sulmuar pak më përpara dhe nuk mund të mos ndodhte dhe kjo dhe teknikët tanë po punojnë të zgjidhet edhe kjo kemi edhe një plan B dhe C për të update situatën”, ka theksuar ai.

Kryekomisioneri, Ilirjan Celibashi ka shtuar se në të gjitha qendra e votimit është duke vazhduar procesi i votimit.

“Nuk ka asnjë qendër që nuk po zhvillohet votimi në të cilat është bllokuar procesi i votimit por ka rast pas rasti kur na njoftojnë se në këtë qendër votimi janë bllokuar nuk po vazhdon procesi por na marrin pas 5 mintuash na thonë se e zgjidhëm këtë gjë“, ka thënë ai.

Ditën e sotme po zhvillohen zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, për të zgjedhur 140 deputetët e rinj të Kuvendit.

Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 3.588.869 qytetarë shqiptarë kanë të drejtën të votojnë sot, ndërsa 107 mijë e 24 zgjedhës votojnë për herë të parë.