Pjesë e intervistës me filozofin Jacques Derrida. Këtu Derrida flet për frikën që ka nga të shkruarit.

Përktheu: Ilir Bekteshi

Çdo herë kur shkruaj më duket sikur po hy në një territor të ri, diku ku nuk kam qenë më parë. Ky lloj avansimi përkon me veprime të tilla të cilat shpesh herë mund të merren si agresive në raport me mendimtarë ose kolegë të tjerë. Për nga natyra nuk jam tip polemizues por është e vërtetë se veprimet dekonstruktive shpesh bëhen për të destabilizuar, për tu shkaktuar ankth madje edhe për të i lënduar të tjerët. Dhe sa herë që bëj këso lloj veprimesh jetoj momente frike.

Por kjo nuk ndodh në momentet kur jam duke shkruar. Në fakt kur shkruaj kam një ndjenjë të pashmangshme të diçkaje që është më e fortë se vetja ime dhe e cila kërkon që unë të shkruaj ashtu siç di unë. Kurrë nuk jam tërhequr nga ajo që kam shkruar sepse jam frikësuar nga pasoja të caktuara. Asgjë nuk më trëmb kur shkruaj. E them atë që mendoj se duhet thënë. Nëse nuk shkruaj kaloj një moment shumë të pazakontë kur shkoj për të fjetur, kur dremis apo bie në gjumë. Në atë moment gjysëm të fjetur krejt papritur frikësohem nga ajo çfarë jam duke bërë. Dhe i them vetes:

“Ti je i çmendur që ke shkruar këtë!” “Je i çmendur që e sulmon një gjë të tillë!” “Je i çmendur që po kritikon një person si ky apo si ai.” Je i çmendur që po kundërshton një autoritet të tillë, qoftë ai institucional apo personal.

Kështu krijohet një lloj panike në pavetëdijen time sikur…. me çfarë mund ta krahasoj këtë… Imagjinoni një fëmijë i cili bën diçka shumë të keqe. Freud flet për ëndrrat e fëmijërisë, ku fëmija ëndërron sikur është i zhveshur lakuriq dhe i tmerruar sepse të gjithë e shohin që është i zhveshur. Sidoqoftë në këtë përgjumje ndjej sikur kam bërë diçka kriminale, të turpshme… diçka që nuk do të duhej ta kisha bërë. Dhe sikur dikush po më thotë:

“Ti je i çmendur derisa e ke bërë atë.”

Kjo është diçka që unë vërtetë e besoj në këtë përgjumje. Dhe urdhëri i nënkuptuar në këtë është:

“Ndalo gjithçka! Tërhiqu! Digji dorëshkrimet!” “Ajo çfarë ti po bën është e papranueshme!”

Mirëpo porsa zgjohem e gjitha kalon. Interpretimi im për këtë është, se kur jam i zgjuar, i vetëdijshëm dhe duke punuar, jam më i pavetëdishëm se sa kur jam gjysëm i fjetur. Kur jam në atë përgjumje kam një lloj vigjilence e cila ma tregon të vërtetën. Pik së pari më tregon se ajo që po bëj është shumë serioze. Por kur jam i zgjuar dhe duke punuar kjo vigjilencë faktikisht është e fjetur. Nuk është më e fortë nga këto të dyja. Dhe kështu unë bëjë atë që duhet bërë.