Dëshmitari pretendon se kishte presion që LDK të pushonte aktivitetin e saj në Malishevë

(Lajm i përditësuar)

Dëshmitari pretendon se kishte presion që LDK të pushonte aktivitetin e saj në Malishevë

Dëshmitari i dytë i prokurorisë, në çështjen kundër Thaçit dhe të tjerëve, ka thënë se e ka vazhduar aktivitetin në Lidhjen Demokratike të Kosovë(LDK) edhe pasi ishte kyçur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës(UÇK).

Ai ka thënë se raportet në mes të UÇK-së dhe LDK-së nuk ka qenë shumë të mira dhe sipas tij ka pasur presion që kjo e fundit të pushonte aktivitetin e saj në Malishevë.

Dëshmitari i mbrojtur është përgjigjur në pyetjet e prokurorit James Pace dhe një pjesë e seancës është zhvilluar private.

Prokuroi: Objektivat e UÇK-së dhe LDK-së, nga 1998, a filluan të harmonizoheshin?

Dëshmitari: Thuajse nuk ishin bash të mira. Edhe pse ishim një pjesë e vogël të kyçur në UÇK, mirëpo nuk kanë qenë edhe bash raportet e shëndosha të mira, ngase vazhdimisht bëhej presion që LDK të pushonte aktivitetin në Malishevë.

Prokurori: Kush e ushtronte këtë presion?

Dëshmitari: E ushtronte drejtoria politike që ishte në Malishevë, e UÇK-së.

Prokurori: A kishte komandat drejtoria politike në Malishevë?

Dëshmitari: Për Malishevë ka qenë Gani Krasniqi.

Prokuroi: A e njihte UÇK presidentin Rugova në atë kohë, në prill të vitit 1998, apo rreth asaj kohe?

Dëshmitari: Jo.

Prokurori: A vazhduat të ishit anëtar i LDK-së edhe kur u kyçet në UÇK. Kyçja në UÇK a ishte në përputhje me të qenit pjesëtar i LDK-së në atë kohë?

Dëshmitari: Nuk ka qenë a je në LDK apo kudo që je, por nëse je i gatshëm të vritesh.

Prokuroi: Pasi u kyçet në UÇK a mësuat nëse kishte anëtar të tjerë të UÇK-së që e njohin këtë institucion? Për të qenë i qartë, po thoni që ka pasur pjesëtar të UÇK-së që i njihnin institucionet paralele?

Dëshmitari: Po, ka pasur, ka pasur edhe ushtarë, edhe shtab, që i ka njohur institucionet e Republikës së Kosovës.

Prokuroi: A kishte pjesëtarë të tjerë të UÇK-së që nuk i njihnin institucionet?

Dëshmitari: Ka pasur, por një pjese e madhe i kanë njohur institucionet.

Prokuroi: A keni qenë në gjendje të kryenit ndonjë detyrë për LDK-në ndërkohë që ishit pjesëtar i UÇK-së?

Dëshmitari: Sa kam qenë pjesëtar i UÇK-së kam kryer punët e LDK-së, kam punuar, kam vepruar në çfarë është dashur.

Prokurori: Por pjesëtarët e tjerë të UÇK-së a ishin në dijeni që ju ushtronit detyrat apo aktivitetet e LDK-së ndërkohë që ju ishit pjesëtar i UÇK-së? Si kanë reaguar këta njerëz ndaj këtij qëndrimi tuaj, nëse kanë reaguar?

Dëshmitari: Ka pasur që kanë kërkuar me u tërheqë, mirëpo nuk jam tërheqë ngase e kisha mbështetjen, e kisha edhe autoritetin.

Pyetjet e fundit të kësaj seance kanë vijuar të mbyllura për publikun.

Gjykimi do të vazhdojë nesër në Dhomat e Specializuara në Hagë me dëgjimin e këtij dëshmitari, që është dëshmitari i dytë i mbrojtur i ZPS-së.

Dëshmitari në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve flet për daljen e parë publike të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka filluar të dëgjohet dëshmitari i dytë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) i cili ka deklaruar se është anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK). Ai ka folur për daljen e parë publike të UÇK-së dhe paraqitjen e Mujë Krasniqit, Daut Haradinajt dhe Rexhep Selimit. Për këtë të fundit, ka thënë se kishte adresim më të rreptë dhe sipas tij kishte mesazh për LDK-në.

Pasi një pjesë e seancës është zhvilluar private, dëshmitari ka vazhduar të përgjigjet në pyetjet e prokurorit rreth UÇK-së.

“Në Republikën e Kosovës ka ekzistuar edhe më herët Ministria e Mbrojtjes, prej vitit 1991, Ushtria Çlirimtare e Kosovës si formacion ka dalë pak më vonë, në vitin 1998 dhe prej fillimit kam qenë pjesëtar i saj. U foke për UÇK-në, për veprimet, mirëpo pas vrasjes së komandantit legjendar Adem Jashari atëherë publikisht doli UCK dhe njerëzit u kyçën në të, iu bashkëngjiten dhe luftuan me të”, ka thënë ai.

Sipas dëshmitarit, për aksionet e UÇK-së mësohej nga komunikatat që publikoheshin në media.

“Kur bëheshin veprimet, dinim që u kry një aksion ndaj policisë apo forcave serbe nga UCK, dilnin me komunikatat e tyre që e merrnin përgjegjësinë që këtë sulm e ka kryer UCK, viti 1997 e tutje”, ka thënë ai.

Tutje, dëshmitari ka thënë se ka marrë pjesë në varrimin e mësuesit Halit Geci në Llaushë, në nëntor të vitit 1997, dhe ka shtuar se atë ditë është bërë edhe dalja publike e UÇK-së.

Prokuroi James Pace e ka pyetur rreth personave të cilët u ishin adresuar masës atë ditë.

Dëshmitari ka thënë se atë ditë kishin folur Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Daut Haradinaj.

Ai ka thënë se Mujë Krasniqi kishte bërë thirrje për mbështetjen e luftës së UÇK-së si dhe për lirinë e Kosovës.

“Edhe të tjerë kanë folur, njëri prej folësve që ishte me maskë ka qenë pak më i rreptë, që tash duhet të dëgjohet UÇK. Që tash duhet të luftohet për lirinë e Kosovës ngase vetëm me fjalë nuk arrihet lufta, pak a shumë kështu ishte fjalimi”, ka thënë dëshmitari.

Derisa është përgjigjur në pyetjet e prokurorit, dëshmitari ka thënë se fjalimi i Rexhep Selimit atë ditë u dedikohej edhe njerëzve të LDK-së.

Prokurori: Përmendët që si pjesë e fjalimit u përmendën njerëz të cilët ishin pacifistë dhe at nuk mund të vazhdonin më ashtu, si e kuptuat ju këtë gjë?

Dëshmitari: U kuptua ngase fjala ishte te Lidhja Demokratike e Kosovës, se liria nuk vjen vetëm me fjalë e me mjete paqësore por duhet të bëhet edhe lufta.

Prokuroi: Çfarë ju bëri të kuptoni që kjo kishte të bënte më LDK-në, a u përmend LDK konkretisht nga njëri prej folësve?

Dëshmitari: Ishte qëllimi aty.

Prokurori: A mund të na e shpjegosh si e kuptuat që ky ishte qëllimi, që i drejtohej LDK-së, megjithëse LDK nuk ishte përmendur shprehimisht?

Dëshmitari: U dike kush është në Prishtinë, kush punon në mënyrë paqësore.

Prokurori: Sa pjesë të Malishevës kontrollonte UÇK në qershor të vitit 1998?

Dëshmitari: Pothuajse komplet Malishevën.

Prokuroi: Ishte kështu edhe në korrik të 1998?

Dëshmitari: Në Malishevë ka qenë UÇK, kane ekzistuar disa njësite, kanë qenë të shtrirë në tërë fshatin e Malishevës.

Në fillim të dëshmisë së tij, dëshmitari i mbrojtur ka thënë se prej vitit 1990, LDK ka qenë prezentë në Malishevë dhe që prej asaj kohe është pjesë e saj.

Ai ka thënë se është bërë pjesë e LDK-së pasi kjo parti kishte program për pavarësinë e Kosovës nga Serbia.

Ai ka folur për rezultatet e LDK-së në zgjedhjet e vitit 1992 dhe sipas tij kjo parti ishte e njohur në atë kohë.

“Qëllimi kryesor i Lidhjes Demokratike ka qenë, e ka kundërshtuar sistemin e ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë, ka filluar të punojë për jetësimin e shtetit të pavarur të Kosovës, deri në çlirimin e plotë. Ka punuar dhe vepruar për pavarësinë e Kosovës dhe lirinë e saj, të udhëhequr nga presidenti (Ibrahim) Rugova dhe institucionet e saj të asaj kohe”, ka thënë dëshmitari.

Dëgjimi i dëshmitarit të dytë të ZPS-së do të vazhdoje pas pauzës ndërsa tërë dëshmia pritet të zgjasë rreth pesë ditë.

Për intervistimin e këtij dëshmitari, prokuroria ka kërkuar shtatë orë ndërsa mbrojtja e të akuzuarve ka kërkuar 12 orë.

Nis dëshmia e dëshmitarit të dytë ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Ka nisur dëgjimi i dëshmitarit të dytë të Prokurorisë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Fillimisht dëshmitari bëri betimin se do ta thotë të vërtetën para trupit gjykues, derisa Gjykata njoftoi se dëshmia do të zgjasë të paktën pesë ditë.

Zyra e Prokurorisë së Specializuar i ka kërkuar 7 orë kohë për ta intervistuar dëshmitarin, mbrojtja e viktimave 15 minuta dhe mbrojtja e të akuzuarve 12 orë.

Ndërsa paraprakisht, Gjykata njoftoi se gjatë ditës do të lëshohet një vendim verbal për një çështje që ka të bëjë me të akuzuarin Thaçi.

Me të nisur dëshmia, procesi kaloi në seancë të mbyllur.

​Përfundon dëshmia e dëshmitares së parë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka përfunduar dëshmia e dëshmitares së parë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS), në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK).

Dëshmitarja e mbrojtur është dëgjuar për më shumë se tri ditë tërësisht në seanca private.

Pas një pauze, në gjykatore do të flas dëshmitari i dytë i prokurorisë, gjithashtu i mbrojtur, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur për publikun.

Sipas trupit gjykues, ai mban kodin W02652.

E lidhur me këtë dëshmitar, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka ngritur një çështje në seancë private.

Ndërsa më vonë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë deklaruar se e kundërshtojnë një kërkesë të mbrojtjes së Hasim Thaçit dhe për këtë kanë bërë të ditur se do të dorëzojnë parashtrim.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë parë në sallën ku po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj tyre.

Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Thaçi dhe të tjerët, refuzohen si provë disa deklarime të dëshmitarit të prokurorisë

Trupi gjykues në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK) ka miratuar një mocion të mbrojtjes së Rexhep Selimit lidhur me përjashtimin e disa provave të cilat janë jashtë kuadrit kohor të ngjarjeve që paraqitën në aktakuzë. Sipas trupit gjykues pranueshmëria e këtyre provave do të mund të shkaktojë cenim të padrejtë të të akuzuarve.

Në hapjen e seancës gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë, kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith ka bërë të ditur se sot do të vazhdojë dëgjimi i dëshmitares së mbrojtur, e cila mban kodin W04474.

Ndërsa më pas do të dëgjohet dëshmitari i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) i cili mban W02652.

Për këtë të fundit, mbrojtja e Rexhep Selimit, më 6 prill, kishte dorëzuar kërkesën për përjashtimin e dëshmisë për provat që janë jashtë kuadrit kohor të ngjarjeve të paraqitura në aktakuzë.

Kjo kërkesë kishte marrë edhe mbështetjen e mbrojtjes së Thaçit dhe të Krasniqit.

“Mbrojtja e Selimit kërkon që të përjashtohet dëshmia e dëshmitarit W02652 për provat që janë jashtë kuadrit kohor të ngjarjeve të paraqitura në aktakuzë. Mbrojtja e Selimit mendon që incidenti nuk është përkatës dhe vlera provuese zhbëhet nga efekti cenues që ka. Mbrojta e Selimit më tej parashtron se trupi gjykues nuk duhet të pranojë si prova, fillimisht të vlerësohet rëndësia që ka në një fazë të mëvonshme pasi kjo praktikë është konsumuese dhe çorientuese”, ka thënë kryetari i turpit gjykues.

Nga ZPS e kanë kundërshtuar këtë mocion, përmes një parashtrimit të dorëzuar më 12 prill.

“Sa i takon incidentit të dytë, siç përshkruhet në paragrafin 16 të parashtrimit F1438 mbrojtja parashtron se kjo dëshmi nuk ka përputhshmëri dhe nuk duhet të merret për bazë. Mbrojtja e Selimit më tej argumenton se dëshmia është vetëm dytësore, vjen nga burime të pabesueshme dhe duhet parë me shumë kujdes. Së fundmi në paragrafin 23 të parashtrimit F1438 mbrojtja e Selimit kundërshton pranimin e dëshmisë sa u takon dy incidenteve të tjera të pretenduara që kanë ndodhur jashtë periudhës së aktakuzës. ZPS kundërshton mocionin, argumenton se dëshmia është e pranueshëm sipas rregullës 137 dhe 138 duke marrë parasysh se dëshmia është relevante apo autentike dhe ka vlerë provuese dhe nuk zhbëhet nga efekti cenues”, ka thënë kryegjykatësi Smith.

Trupi gjykues ka rikujtuar se pala që dorëzon materiale apo paraqet prova duhet të demonstrojë se faktet që kërkon të vërtetojë janë përkatëse për çështjen.

“Trupi gjykues vëren se ZPS pretendon në paragrafin 32 të aktakuzës, i akuzuari dhe anëtarët e tjerë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale ndanin një qëllim të përbashkët për të fituar, ushtruar, kontroll në të gjithë Kosovën, ndër të tjera duke ushtruar dhunë ndaj kundërshtareve. Paragrafi 59 i aktakuzës shpjegon aktet e renditura në aktakuzë që tregojnë një fushatë të gjerë të sulmeve kundër kundërshtarëve në të gjithë Kosovën, para, gjatë dhe pas periudhës së aktakuzës. ZPS nuk tregon primafacie relevancën e këtyre incidenteve të cilat i kundërshton mbrojtja e Selimit, këto nuk pretendohen të kenë qenë pjesë e nkp-së të cilat mbulojnë vetëm periudhën e aktakzuës dhe as sulmet e pretenduara që u atribuohen të akuzuarve. Për më tepër asnjë nga këto incidente nuk pretendojnë të kenë qenë pjesë apo të japin prova apo të dëshmojnë që ka pasur sulm sistematik dhe të zgjeruar kundër kundërshtarëve apo të jenë të lidhura materialisht me konfliktin e armatosur i cili paraqitet në aktakuzë”, ka thënë Smith.

Përmes urdhrit gojor, kryetari i trupit gjykues ka miratuar mocionin e mbrojtjes së Selimit duke thënë se pranueshmëria e këtyre provave mund të shkaktojë cenim të padrejtë të të akuzuarve.

“Duket se ka probleme sa i takon mbështetshmërisë, besueshmërisë dhe vlerës provuese të dëshmisë së pritshme të të akuzuarit dhe kjo mund të përfshijë incidentin e parë dhe nuk ka asnjë tregues që i akuzuari është i përfshirë në incidentin e dytë dhe as nuk ka informacion të verifikueshëm që UÇK ka qenë e përfshirë në këto incidente. Pranueshmëria e këtyre provave mund të shkaktojë cenim të padrejtë të të akuzuarve dhe ky informacion i dhënë është i paverifikueshëm. Trupi gjykues miraton mocionin e mbrojtjes së Selimit, nuk lejohet ZPS të bëjë pyetje për incidentet e përshkuara në paragrafin 31623 të materialit. Sa i takon dëshmitarit Ë02652 duhet redaktuar referencat lidhur me këto sulme nga çdo material që synojnë të paraqesin si prova. Së fundmi palët duhet të dorëzojnë versionet e redaktuara bashkë me parashtrimet e tyre deri të hënën 24 prill 2023”, ka thënë kryetari i turpit gjykues derisa e ka mbyllur urdhrin me gojë.

Pas këtij urdhri, në seancë private po vazhdon dëgjimi i dëshmitares së parë të ZPS-së, pas së cilës do të vijohet me dëshmitarin tjetër të mbrojtur i cili mban kodin W02652.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po marrin pjesë fizikisht në sallë ku po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj tyre.

Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Nis paraqitja e provave të reja kundër ish-krerëve të UÇK-së

Ka filluar në Gjykatën Speciale procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Sot sikurse edhe javën e kaluar do të vazhdohet me procesin e paraqitjes së provave, përkatësisht dëgjimin e dëshmitarëve.

Seanca ka kaluar në private.

Seanca LIVE

Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-ës

Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çliritmare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi do të vazhdojë edhe sot.

Në faqen zyrtare të DHSK-së bëhet e ditur se gjykimi do të nisë nga ora 09:00.

Kujtojmë se që nga fillimi i javës së kaluar ka nisur dëgjimi i dëshmitares së parë ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Seancat janë duke u mbajtur të mbyllura për publikun.

Ndryshe ky proces gjyqësor nisi dy vjet e gjysmë më vonë, pas mbajtjes në paraburgim në Hagë, të katër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.

Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./21Media

Back to top button